E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, aty ku mbeturinat urbane grumbullohen në përrua

19/03/2012  VËZHGIM / Banorët: Fajtorët jemi ne vetë për ndotjen

GJIROKASTËR- Hedhja e mbeturinave urbane pa kriter në përroin e lagjes “Zinxhira” ka revoltuar jashtë mase disa banorë të kësaj zone, të cilët shprehen se “me këtë fenomen negativ po shkatërrojmë shëndetin dhe cilësinë e jetës”. Çdo mëngjes, Liria, shikon me sytë e saj, se si amvisat e kësaj lagjeje hedhin pa të keq mbeturinat që kanë krijuar një ditë më parë. “Ky fenomen po shkatërron jetët tona, si dhe po keqedukojmë brezin e ri. Kjo është e pafalshme”, shprehet Liria, shtëpiake, nëna e tre fëmijëve të rritur. Për të, kjo situatë duhet të marrë fund, kjo në dobi të cilësisë së jetës dhe të mjedisit.

Ndotje

“As në kohën e Mesjetës mbeturinat nuk trajtoheshin në këtë mënyrë. Hidh ku të mundesh dhe mos pyet për shëndetin e komunitetit”, thotë e revoltuar Liria. Një ditë më parë, dikush i vuri zjarr mbeturinat urbane pranë përroi të “Zinxhirave”. Të gjithë banorët u përpoqën të gjenin fajtorin, por një meso burrë kishte tjetër mendim. “Flakën ia kemi vënë vetes, qysh në momentin kur mbeturina hidhen pa kriter në përrua, fajtorë jemi të gjithë”, shprehet Agroni M., biznesmen i vogël. Sipas tij, faji nuk është i zjarrvënësit, por i banorëve. “Të gjithë ankohen se faji është i bashkisë. Unë mendoj të kundërtën. Faji është i banorëve”, mendon Agroni, duke shtuar se “pushteti vendor ka kusuret e veta, po asnjëherë ky institucion nuk ka favorizuar hedhjen e mbeturina urbane në përrua”. Agroni kujton Napolin (Itali), por asnjëherë banorët nuk i hodhën në lumë, siç po ndodh këtu, por bllokuan rrugën, duke alarmuar një shtet të tjerë. “Një gjë duhej të bëjnë banorët e lagjes “Zinxhira”, t’i hedhin mbeturinat në rrugë, për të detyruar pushtetin vendor t’i largojë. Në fakt ne bëjmë të kundërtën. I hedhim më kollaj në përrua dhe pushtetin vendor e “lehtësojmë”, pavarësisht se çdo familje paguan 200 lekë në muaj taksë pastrimi”, mendon Agroni. Agroni tregon se hedhja e mbeturinave urbane është bërë kulturë, madje edhe fëmijët i hedhin kuturu. “Të betohem. Kam parë me sytë e mi që edhe fëmijët hedhin mbeturina në përrua. Me pak fjalë, ky fenomen po futet në sistem dhe kjo do të jetë shumë e dëmshme për të ardhmen”, thotë ai.

Vendorët

Vangjel Muço, nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, thotë se shërbimi i pastrimit dhe grumbullimit të mbeturinave urbane bëhet nga buxheti i pushtetit vendor. “Fondi i pastrimit prej 45 milionë lekësh është i mjaftueshëm, por ndihemi të mbingarkuar, pasi banorët ende nuk janë edukuar se ku duhet të hidhen mbeturinat urbane, madje hidhen edhe mbeturina inerte, që dëmtojnë koshat dhe makineritë”, pohon Muço. Një tjetër problem, vijon nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, është pozicioni gjeografik i qytetit, që ndodhet në një zonë malore, rrugica të ngushta, si dhe me ndërtimet pa kriter që pengojnë shërbimin e pastrimit. “Aktualisht, qytetarët gjenerojnë mbetjet urbane në zonat malore. Ndërmarrja e Pastrimit nuk ndërhyn dot. Gjashtëdhjetë vite më parë gjirokastritët ishin më të edukuar, prodhonin mbeturina organike dhe riciklonin me shumë nikorqillëk. Sot po përjetojmë një periudhë të errët dhe shumë të rrezikshme për jetën e banorëve”, argumenton Muço, ndërsa mendon se “Pushteti qendror dhe lokal, si dhe institucionet e specializuara, urgjentisht duhet të bashkëpunojnë në dobi të përbashkët, t’i garantojnë gjeneratës së re një jetë cilësore, pa mbeturina urbane të “mbjella” kudo”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›