E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmenden” karburantet, arrijnë kuotën 2 mijë lekë për litër

19/03/2012  Disa pika në kryeqytet rrisin sërish çmimet

Çmimi i naftës u është rikthyer edhe një herë rekordeve, duke shënuar një nivel 194 lekë për litër, ndërkohë që benzina shënonte vlera të ndryshme në disa pika ku më e ulëta ishte 195 dhe më e larta 199 lekë për litër. Në një pjesë të mirë të pikave të tregtimit të karburantit, çmimet kanë pësuar rritje me rreth 3 lekë për litër krahasuar me disa ditë më parë. Në fakt, ulje-ngritjet në çmimin e karburanteve prej dy vitesh janë bërë më të shpeshta, por duket se edhe këtë herë atributin për këtë shtrenjtim do ta marrin taksat. Kompanitë kanë përfunduar rezervat që kishin me një çmim më të leverdishëm dhe tashmë ka filluar karburanti i ri, që është importuar me taksë 7 lekë për litër, ndërkohë nga ana tjetër edhe dollari ka fituar sërish pikë ndaj monedhës vendase. Pikërisht kjo rritje, thonë importuesit, është një ndër faktorët kyç, pasi nafta në tregjet ndërkombëtare blihet vetëm me dollarë. Edhe në bursa çmimi i naftës ka shfaqur një tendencë rritjeje, që gjithmonë u atribuohet vlerësimeve që kompanitë e riskut financiar bëjnë për shtete të rëndësishme apo trazirave dhe deklaratave politike mes vendeve të ndryshme. Në bursën e Londrës ku edhe referohen importuesit shqiptarë për blerjen e tyre, një fuçi naftë dje u shit për 124 dollarë, një nivel super i lartë çmimi. Ndërsa krahasuar me një ditë më parë, çmimi i naftës në këtë bursë ka pësuar rënie. Rritja e madhe e çmimeve të karburanteve në vend ka sjellë ulje të konsumit. Nga një vëzhgim në pikat e karburanteve në kryeqytet rezulton se çmimet e rritura në nivele rekord të karburanteve kanë dhënë efektin e tyre në rënien e furnizimit të qytetarëve me naftë e benzinë mjeteve motorike. Sipas tregtarëve në pikat e shitjes në karburantet e kryeqytetit ka ditë që ka rënë konsumi i naftës dhe benzinës. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga të dhënat e doganave. Gjatë janarit të këtij viti importi i karburanteve është ulur me afro 30 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke bërë një krahasim me një vit më parë, në janar të vitit të 2011 janë importuar 27429 ton karburante nga 18640 ton të importuar janarin e këtij viti, që përkthehet në afërsisht 9 mijë ton më pak. Rënia e importit është një tregues se qytetarët po konsumojnë më pak karburant. Në 1 vit, çmimi i naftës në vend është rritur mesatarisht 30 lekë për litër, që e ka bërë të vështirë për drejtuesit e mjeteve të konsumojnë të njëjtën sasi karburanti. Ndërkohë që në mars të vitit të kaluar,1 litër naftë në disa prej pikave të tregtimit me pakicë ka kushtuar 160 lekë, ndërsa aktualisht çmimi ka arritur në 194 lekë. Sipas importuesve, rritja e çmimit ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar, çka ndikon menjëherë edhe në tregun vendas. Por trendi i çmimeve të karburanteve në treg nuk lë shumë premisë për ulje, pasi në bursë, aty ku kuotohet vlera e naftës, çmimi po shkon gjithmonë e më shumë drejt rritjes. Rritja e çmimeve të karburanteve është kthyer në vëmendjen e mediave të vendeve fiqnje, pasi edhe atje një litër benzinë po kap vlerën e dy eurove, shifër kjo e paimagjinueshme më parë. Dhe tregu ndërkombëtar reflektohet menjëherë në tregun e brendshëm. Por në çmimin fundor të karburanteve në vend llogaritet edhe abuzimi. Pak kohë më parë, rritja në tregje iu faturua tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit, të cilat arritën deri aty sa të diskutohej një embargo për naftën iraniane apo një bllokim i Gjirit Persik nga ky shtet, nëse SHBA apo BE do të merrnin iniciativa bllokuese. Të fundit që paguajnë për gjithë këto, janë qytetarët, të cilët vit pas viti po përballen me çmime gjithmonë e më të larta për karburantet.

Parashikimi

Duket se importuesit e karburanteve e “goditën në kokë” parashikimin e dhënë rreth 6 muaj më parë që çmimi i karburanteve do të arrinte në 2 mijë lekë për litër, pasi ditën e djeshme benzina preku nivelin 199 lekë/litër. Ndërkohë që shqetësues është fakti se ky çmim duket se nuk do të ketë ndalesë, pasi parashikohen sërish rritje në muajt në vijim.

Krahasimi

Në krahasim me një vit me parë çmimi i naftës është rritur me rreth 34 lekë për litër. Sipas të dhënave nga importuesit rezulton se në mars të vitit të shkuar një litër naftë është shitur me 160 lekë, ndërkohë që dje preku nivelin e 194 lekëve. Një faktor kyç në këtë çmim është edhe taksa e re e qarkullimit prej 7 lekësh për litër mbi gazoilin dhe benzinën.

Diferenca

Rritjet e njëpasnjëshme të çmimeve të karburanteve kanë bërë që të zhduket diferenca mes çmimit të naftës dhe benzinës. Nëse para 3 vjetësh mes këtyre dy lloj karburantesh, diferenca ka qenë 15 lekë, tani është vetëm 1 lekë. Kjo diferencë e madhe çmimi ka qenë edhe shkaku kryesor përse në vendin tonë qarkullojnë më shumë makina që punojnë me motor nafte.

Pasoja

Rritja e shpejtë e çmimit të naftës në nivel rekord nuk është më një kërcënim në horizont, por një pasojë që po jepet efektin e parë në ekonominë vendase. Ekspertët theksojnë se në fazën e parë do të kemi një rënie të prodhimit për çdo njësi industrial dhe kjo sjell rritjen e kostove bazë të prodhimit, e cila përkthehet në largim punonjësish dhe falimentim.

Të vetmet pika karburanti që po tregëtojnë karburant me ëmim më të ulët në treg janë ato të kompanisë “Taçi Oil”. Kjo kompani që është edhe pronare e kompanisë së vetme përpunuese të naftës në vend “ARMO”, po e shet naftën me çmimin 182 lekë për litër, ndërsa benzinën me 187 lekë për litër, pra rreth 12 lekë më lirë.

Taksa e qarkullimit që ka ndikur në shtrenjtimin e karburanteve është një taksë fikse për litër mbi naftën dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend. Që nga shtatori dhe deri në dhjetor kjo taksë ishte në masën 5 lekë për litër, ndërsa nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse është 7 lekë për litër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›