Gjirokastër, emergjencat civile llogaritin 92 milionë lekë dëme nga natyra
Dëmi i shkaktuar nga fenomene të ndryshme, kryesisht natyrore, gjatë muajve të fundit në Qarkun e Gjirokastrës, përllogaritet rreth 92 milionë e 593 mijë lekë. Kjo shumë është nxjerrë nga Zyra e Emergjencave Civile në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës. Sipas përgjegjësit të kësaj zyre, Jorgo Nikolla, dëmet më të mëdha të shkaktuara kanë prekur biznese të ndryshme për të vijuar më tej me banesat dhe me rrugët rurale.
Tre zjarre të rëna gjatë këtij viti, kanë shkatërruar biznese ku më i konsiderueshmi është zjarri që shkaktoi djegien e punishtes së prodhimit të kartopecetave në fshatin Jorgucat si dhe një punishte me punime të drurit në Përmet. Ndërkaq në banesat veçohen djegia totale e një banese në fshatin Lekdush të Tepelenës ku shënoi dhe një viktimë disa muajshe, si dhe një vatër zjarri me pasoja në materiale në qytetin e Memaliajt. Zjarret dhe reshjet e shumta gjatë stinës së dimrit, kanë qenë shkaqet kryesore në një sërë problemesh të evidentuara, ku pjesën më të madhe e zënë rrëshqitjet e tokës. Ndërkaq sipas Nikollës, në prag të stinës së nxehtë në bashkëpunim me një sërë institucionesh po hartohet plani i masave për të përballuar situatën që mund të krijohet nga zjarret, kryesisht në muajt korrik, gusht dhe shtator.