E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, sherr me thika, plagoset rëndë 32 vjeçari

Plagosjet me thika janë kthyer në një shqetësim gjithmonë e më tepër mes të rinjve në juglindje. Vetëm në muajin e fundit sipas të dhënave zyrtare të policisë rezultojnë të plagosur të paktën 5 të rinj me thika, ndërkohë që dhe plagosjet me sëpatë janë po kaq të shumta. Ngjarja e radhës është regjistruar në fshatin Caushli të komunës Pirg në rrethin e Korçës. Protagonist i ngjarjes së rëndë është bërë shtetasi Istref Pilinçi, i cili për më tepër është shpallur dhe në kërkim nga policia, pasi është larguar fill pas ngjarjes. Sipas hetimeve të para të policisë lokale, ngjarja ka ndodhur në fshatin Çaushli rreth 25 kilometra larg qytetit të Korçës për motive pronësie. I plagosuri i këtij akti barbar ka mbetur shtetasi Petraq Burnazi, 32 vjeçar, banor i fshatit Velitërnë komuna Pirg në rrethin e Korçës, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. Sipas burimeve të policisë lokale, sherri mes dy të rinjve ka ardhur për një çështje pronësie që lidhte dy personat e përfshirë në konflikt. Sipas tyre, të dy shtetasit e lartpërmendur kanë patur një tokë në kufi me njëra-tjetrën, teksa kanë patur pretendime për lëvizjen e kufijve të saj. Si i dëmtuari ashtu dhe agresori janë takuar rastësish në fshatin Çaushli dhe aty kanë nisur të debatojnë, duke e degjeneruar grindjen deri në një përgjakje. Kështu, autori Istref Pilinçi ka përdorur një thikë që e mbante me vete, duke lënë të plagosur në vend me të Petraq Burnazin. Ndonëse fshatarë të zonës kanë ndërhyrë të evitojnë gjakderdhjen nuk kanë bërë asgjë të mundur, ndërsa menjëherë pas agresionit autori i saj është larguar nga vendi i ngjarjes. I plagosuri është transportuar drejt spitalit rajonal të Korçës, ndërkohë që ndodhet në gjendje kritike. Autori është shpallur menjëherë në kërkim nga policia teksa akuzohet për veprën penale të plagosjes me dashje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›