Goditet grupi i 13 vjedhjeve, ndalohen të rinj
Policia e Korçës godet një grup vjedhësish që kishin grabitur plot 13 herë në lokale dhe shtëpi në Korçë. Operacioni i koduar Gracka është finalizuar rreth orës 19:30 të ditës së djeshme me plot 6 të arrestuar, dy prej të cilëve për shkak të moshës së tyre të mitur do të ndiqen në gjendje të lirë.
Vjedhjet janë kthyer në një fobi për qytetarët e Korçës, ndërsa çdo ditë raportohen vjedhje banesash por dhe njësish tregtare, lokale etj. Grupi i goditur nga policia juglindore kishte konsumuar aktin e vjedhjes plot 13 herë në objekte të ndryshme, ndërsa provat që ata kanë lënë në çdo vjedhje nuk e kanë vështirësuar punën e bluve të cilët kanë mundur të identifikojnë me anë të shenjave të gishtave që ata linin në vendin e ngjarjes. Të rinjtë janë të moshës fare të re, ndërsa në dy rastet janë të mitur. Grupi i 6 të arrestuarve akuzohet për13 vjedhje të gjitha të ndodhura brenda harkut kohor të katër muajve të fundit në qytetin e Korçës. Duke iu referuar të dhënave të policisë të arrestuarit e saj janë shtetasit: A. T. 14 vjeç, K. R. 18 vjeç, O. Ll. 15 vjeç, E. Z. 16 vjeç, S. Ll. 17 vjeç, M. K. 16 vjeç.