E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në kujtimet e De Golit

“Kur Gjenerali De Gol, në vitin 1959 nxori në dritë të botimit kujtimet e veta dhe foli me të rreth luftës, ai tha mendueshëm me stilografin që mbante në duar: "Angloamerikanët kanë bërë shumë gabime në Ballkan. Ne nuk u informuam kurrë mjaftueshëm mbi zhvillimet atje. Shqipërinë duhej ta tërhiqnim në anën tonë"

Duke shfletuar shtypin gjerman të ditëve të fundit, hasa në një fakt interesant, të botuar në faqet e së përditshmes “Die Welt”. Artikulli është shkruar nga Lordi Weidenfeld  më datë 19 prill 2009. Megjithëse për ne shqiptarët, ky artikull  i  shkurtër, shkruar prej tij, nuk përbën ndonjë gjë shumë të veçantë si prurje, duket se ai ka një qasje realiste mbi zhvillimet që lidhen me historinë e Shqipërisë nga koha e Zogut e deri në rënien e komunizimit, pavarësisht disa luhatjeve apo pasaktësirave që reflekton. 
Duke iu referuar kalendarit të ngjeshur historik që mbartin datat e muajt këtij viti, ai nuk harron të sjellë në vëmendje të publikut gjerman një fakt të nëpërkëmbur historik: Këtë pranverë – shkruan ai - po bashkohen sëbashku triumfi dhe tragjedia: ribashkimi gjerman dhe marshimi i Hitlerit në Pragë. Thuajse fare e harruar ka mbetur mbrapshtia e fundit që diktatorët e asaj kohe bënë, para se të shpërthente zyrtarisht Lufta e Dytë: “ invazioni i pashkëve” i Musolinit në vitin 1939 mbi Shqipërinë. Duçe -  vijon më tej autori - duhej t’ i dëshmonte popullit të vet se partneriteti i tij me Hitlerin sillte si pasojë dicka në tavë dhe u lëshua me agresivitet mbi një vend i cili edhe ashtu siç ishte, i përkiste plotësisht sferës së ndikimit italian. Kështu, ai i ofroi mbretit të vet, përveç kurorës mbretërore të Abisinisë, edhe atë të shtetit të vogël në brigjet e Adriatikut, por të rëndësishëm në aspektin strategjik. Fuqitë perëndimore nuk reaguan thuajse fare ndaj këtij agresioni. E për këtë veprim, ata më vonë do të pendoheshin, pasi Shqipëria i ofroi aksit Romë-Berlin, pika të forta strategjike.
Vijojmë më tej, me disa vlerësime e kritika mbi sjelljet e mbretit Zog, ai shkuan: Mbreti Zog, i cili në vitin 1928 ishte ngjitur në fron, pasi kishte konsumuar postin e kryeministrit e atë të Presidentit të Republikës, po qeveriste me dorë të hekurt dhe pompozitet të madh. Oborri i tij operonte sikur të ishte duke luajtur një operetë. Kur ai u martua me bukuroshen Géraldine Apponyi nga dyert e fisnikërisë hungareze, çifti në fjalë u bë objekti më i lakuar i revistave të ilustruara të kohës në kontinent. Në ekzil oborri mbretëror udhëtoi nga një vend në tjetrin, duke provuar hotele e pallate në Londër, Nju Jork, Kairo, Madrid; por në përpjekjet e tij për të përfituar ndihmë zyrtare nga ana e aleatëve për kauzën e vet, ai pati shumë pak sukses.
Më poshtë, opinionisti i gazetës gjermane “die Welt” shkruan në lidhje me përpjekjet e angloamerikanëve për të organizuar kryengritje të armatosur në Shqipëri dhe rolin e Kim Filbit: Gjatë luftës, Anglia ngriti e mbajti më këmbë vetëm një nënrrjet të vogël agjentësh dhe më vonë, në lojën e madhe të agjenturave u futën aty edhe sovjetikët. Më kot u përpoqën aleatët perëndimorë të organizonin një kryengritje masive popullore shqiptare ku me anë të bashkëpunimit me partizanët jugosllavë t’ u bienin fuqive të aksit. Pas lufte, lëvizja ilegale komuniste që kishte marrë tashmë pushtetin, u parapriu synimeve të shërbimeve perëndimore.  Sovjetikët kishin në Londër ndihmën e paçmuar të kryespiunit, Kim Philby, i cili u përcillte atyre emrat, planet, pikat lokale të rezistencës dhe listën e detyrave të përcaktuara nga perëndimorët për njerëzit që po dërgonin në Shqipëri.
Luftëtarët shqiptarë të rezistencës, pas lufte morën pushtetin nën udhëheqjen e komunistëve dhe  një lideri karizmatik e të pamëshirshëm; Enver Hoxhës. Por nuk do të zgjaste shumë, para se ai të prishej me jugosllavët e Titos për shkak të zënkës së tyre me Moskën. Në vijim, duket se autori i shkrimit, megjithë eksperiencën e madhe studimore, publicistike apo diplomatike, duket se bën disa lapsuse të cilat hasen rëndom në studiues të huaj kur vjen puna për Shqipërinë. Kështu ai shkruan: “Por, ndërsa jugosllavi po e bënte çdo gjë i vetëm, Hoxha, pas prishjes me Moskën iu bashkangjit Kinës së Maos dhe deri në fund të jetës së tij, në vitin 1985, Shqipëria ishte pikëkomanda më e largët dhe e vetme e Kinës së Kuqe në Europë”. Ndërkohë që dihet fare mirë se kur Enver Hoxha vdiq, ishte lënë me kohë pas krahëve edhe prishja me kinezët e po konsumohej izolimi në fazën e vet maksimale.
Fakti më interesant vjen kur autori i referohet kohës kur gjenerali mitik francez dhe ish –presidenti, De Gol, shkruante kujtimet e veta: “Kur Gjenerali De Gol, në vitin 1959 nxorri në dritë të botimit kujtimet e veta dhe foli me të (në këtë moment nga autori, vihet re një farë ambiguiteti, pasi nuk nxirret qartësisht në pah se me kë është takuar De Gol, me Hoxhën apo me Zogun)  rreth luftës, ai tha mendueshëm me stilografin që mbante në duar: "Angloamerikanët kanë bërë shumë gabime në Ballkan. Ne nuk u informuam kurrë mjaftueshëm mbi zhvillimet atje. Shqipërinë duhej ta tërhiqnim në anën tonë." Ai ngriti duart, psherëtiu dhe u përqëndrua më pas në korrigjimin e kujtimeve të veta. Sot - përmbyll autori -Shqipëria është anëtare e Nato-s dhe po bën përpjekjet maksimale për t’u anëtarësuar në BE.

Kush është Lordi Weidenfeld?

Sër Arthur George Weidenfeld, ose Lordi  Weidenfeld, ka lindur më 13 shtator 1919 në Vjenë dhe regjistron në karrierën e tij disa stacione si gazetar ( britanik), botues dhe diplomat . Me origjinë është austriako-hebre. Aktualisht është opinionist i gazetës ditore prestigjoze gjermane  “Die Welt”.  Në vitin 1949, ai ka qenë dhe këshilltari i qeverisë së parë izraelite dhe shef i kabinetit të ish-presidentit, Chaim Weizmann.

Përgatiti: Armand Plaka

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›