E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, grabiten kapakët e pusetave, shkatërrohet rruga nacionale

GJIROKASTER- Grabitja e pothuaj të gjithë kapakëve të pusetave në aksin e rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë, ka sjellë dëmtime të rënda të segmentit dhe rrezikon aksidente automobilistike me pasoja të rënda. Specialistë të Drejtorisë së Rrugëve pohojnë se prej kohësh kanë bërë denoncim për këtë fenomen në polici, por grabitjet e kapakëve të pusetave dhe dëmtimi i rrugës vazhdojnë me të njëjtin ritëm. "Ne kemi zëvendësuar herë pas here pusetat e vjedhura për skrap nëpërmjet akordimit të një fondi të veçantë, por e kemi të pamundur ta përballojmë këtë situatë", - pohoi për "Gazetën Shqiptare" Aristotel Noni, inxhinier pranë Drejtorisë Rajonale të Rrugëve në Qarkun e Gjirokastrës.
SITUATA
Burimet e mësipërme konfirmojnë se në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, aktualisht mungojnë rreth 130 kapakë pusetash që janë grabitur për skrap. "Ne kemi bërë tashmë denoncim edhe në strukturat policore. Pusetat po vidhen dhe nuk mund të zëvendësohen gjithmonë, pasi kjo kërkon një investim të veçantë, gjë që është e pamundur. Kjo situatë do të ndikojë negativisht, sidomos me ardhjen e sezonit të shirave, pasi mungesa e pusetave bën që gjithë mbetjet urbane që hidhen do i bllokojnë ato duke shkaktuar përmbytje. Dëmi që llogaritet është i lartë dhe ne jemi munduar të zëvendësojmë një pjesë të tyre, por e kemi të pamundur me përmasat që ka marrë ky fenomen", - pohoi Noni. Ndërkohë, një tjetër shqetësim ka qenë edhe dëmtimi nga zjarret në vijëzimet e akseve nacionale Gjirokastër-Tepelenë e Kakavijë.
ZGJIDHJA
Specialistët që japin alarmin për ndërhyrje të menjëhershme, japin dhe zgjidhjen emergjente për frenimin e vjedhjeve të kapakëve të pusetave. "Së pari, Policia Rrugore dhe ajo e Rendit, së bashku me specialistët dhe punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve duhet të bashkëpunojnë dhe forcojnë kontrollin. Ndërkohë, policia duhet të gjejë grabitësit e kapakëve të pusetave dhe t'i çojë ata para ligjit. Nëse nuk ndërhyhet me urgjencë, veçanërisht tashmë që po afron dimri, situata do të bëhet akoma më e vështirë", - shtojnë specialistët. Ndërkaq, Drejtoria e Rrugëve ka nisur këto ditë punën për plotësimin e kapakëve të pusetave por edhe të sinjalistikës në akset problematike. Aktualisht, situatë më kritike paraqitet në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, ku investimet janë ndërprerë për shkak të mungesës së fondeve.
(Eri Baco/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›