E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, harrohen varret e rilindësve, të rinjtë firmosin peticion

GJIROKASTËR- Një peticion i firmosur prej 100 të rinjsh në qytetin e gurtë të Gjirokastrës i është drejtuar pushtetit vendor, mbi harresën e varreve të pesë rilindësve të cilët prehen shumë pranë shkollës 9 vjecare “Andon Zako Cajupi”. Prej vitesh pllakatat e varreve të rilindasve të njohur si Cerciz Topulli, Bajo Topulli, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri dhe Andon Zako Cajupi janë dëmtuar e shkatërruar totalisht, madje as që mund të vihet re se cili varr i përket njërit apo tjetrit.

Përfaqësuesi i të rinjve Albi Koçi në emër të të rinjve kërkon ndërtimin e një memoriali të ri, ku heronjtë e Kombit Shqiptar të prehen me dinjitet.

“Indiferenca e deritanishme e pushtetit lokal na detyroi ne të marrim këtë iniciativë. Kujtojmë se vetë kryebashkiaku i Gjirokastrës pak kohë më parë vizitoi memorialin e familjes Jashari në Republikën e Kosovës dhe atje pa se si nderohen heronjtë e kombit, ndërsa për këtë memorial justifikohet se nuk paska fonde. Tashmë erdhi koha për të vepruar. Ne bëjmë thirrje për rindërtimin e kultit të shqiptarizmës në qytetin tonë”, theksoi Albi Koçi.

Problemi mbi varret e rilindësve është trajtuar shumë herë në media, ndërsa vetë shkolla pranë së cilës gjendet ky memorial ka reaguar mbi gjendjen e mjerueshme të tyre. Shumë nxënës nuk dinë historinë e nuk i njohin emrat e tyre, dhe fëmijët që shkelin mbi varret janë imazhi ndoshta më fyes që mund të përcillet nga ky vend.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›