Gjirokastër, institucionet arsimore gati për të pritur nxënësit

E hëna e javës që vjen do të shënojë edhe rifillimin e procesit mësimor për institucionet e arsimit parauniversitar. Nga Drejtoria e Arsimit në bashkinë Gjirokastër mësojmë se të gjitha godinat shkollore janë gati për të mirëpritur nxënësit. Ngrohja, e cila është mjaft e domosdoshme në këtë stinë të ftohtë, është siguruar, ndërkohë që është realizuar edhe dezinfektimi. Drejtoresha e arsimit Dorjana Demo i fton dhe të gjithë vogëlushët të frekuentojnë kopshtet të cilat tashmë janë hapur që në 5 janar.
“Me rihapjen e shkollave në 11 janar, ashtu siç është përcaktuar nga Ministria e Arsimit, edhe bashkia Gjirokastër ka marrë të gjitha masat për gjetjen e ambienteve në kushte sa më optimale për rifillimin e procesit mësimor. Shkollat janë të siguruara me ngrohjen e nevojshme. Aty ku ka pasur problem gjatë kësaj periudhe me rreshje është ndërhyrë për të zgjidhur problematikat.Godinat të gjitha janë të dezinfektuara me qëllim që si nxënësit dhe stafet pedagogjik të ndihen të sigurt. Dua të theksoj që kopshtet janë hapur që në datën 5 janar. I ftojmë gjithë prindërit që t’i sjellin fëmijët. Situata shëndetësore e edukatoreve dhe stafit ndihmës është e mirë. Që prej dhjetorit nuk kemi pasur asnjë rast me Covid. Ambientet janë të pastra, të dezinfektuara, janë marrë të gjitha masat për t’u ofruar kushte të mira.”- thotë , Dorjana demo, drejtoreshë e arsimit në bashkinë Gjirokastër.
Në bashkinë Gjirokastër funksionojnë 36 institucionë të arsimit parauniversitar, 20 kopshte dhe 16 shkolla 9 vjeçare e të mesme.