Gjirokastër, kapen 40 pako me marihuanë
GJIROKASTËR- Orët e para të mëngjesit Komisariati i Policisë së Gjirokastrës ka ngritur një postbllok në Urën e lumit në Gjirokastër. Shërbimet e policise kishin marrë informacion në rrugë operative për një automjet i cili mund të transportonte lëndë narkotike në drejtim të Fierit. Bëhet fjalë sipas policisë rreth orës 2 e 10 të mengjesit. Automjeti i ndaluar, Volksvagen me targa TR 88 68, kishte në sediljen e pasme pako të mbështjella ku dyshohej për lëndë narkotike.
Policia ka ushtruar kontroll në automjetin e marrë me qera nga drejtuesi Qani Halit Dobjani, i datëlindjes 1957, lindur dhe banues në Kavajë. Qani Dobjani udhëtonte në drejtim të Fierit dhe në Volksvagen është konstatuar se në sediljen e pasme dhe në bagazh kishte disa pako të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre dyshohej se kishin lëndë narkotike. Grupi hetimor nga këqyrja që i ka bërë mjetit ka rezultuar se në sediljen e pasme dhe në bagazh janë evidentuar 40 pako, në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, me peshë 2 kilogranë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit marihuanë. Dobjani është arrestuar në flagrancë pasi akuzohet për trafik të lëndëve narkotike dhe Policia po punon për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, indentifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë trafik.