E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi do të financojë komunet serbe në Kosovë

 

Qeveria e Beogradit është mbështetëse politike, por edhe financiare e strukturave paralele serbe në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës thonë se kjo përkrahje do vazhdojë edhe në të ardhmen.

Milan Ivanoviç, përfaqësues i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, thotë se Beogradi do ta mbështesë tani edhe formimin e komunave paralele serbe në Kosovë, duke ofruar edhe mbështetjen financiare.

“Serbët, në mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare në Beograd dhe në harmoni me rregulloren për zgjedhjet, do të formojnë të gjitha organet komunale të pushtetit në Kosovë me mbështetjen financiare nga buxheti i Serbisë”, thotë Ivanoviç.

Arsimi si dhe shëndetësia nëpër komunat me shumicë serbe janë fusha që financohen po ashtu nga buxheti i Serbisë. Qysh para dy vjetësh, komunat serbe, fillimisht ato në pjesën veriore, patën ndërprerë bashkëpunimin me institucionet qendrore të Kosovës.

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i ka ftuar serbët që të integrohen në jetën institucionale, duke i rikujtuar se pas datës 15 qershor hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe, sipas kryeministrit, kjo kushtetutë do të jetë detyruese për të gjithë dhe do të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.

“Unë dëshiroj që edhe kësaj radhe t’i ftoj qytetarët serbë të bashkëpunojnë dhe të integrohen në jetën institucionale. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve, është në interesin e paqes, stabilitetit dhe të së ardhmes sonë të sigurt”.

“Në Kosovë do të funksionojnë institucione legjitime dhe demokratike, të dala nga vota e qytetarëve të Kosovës dhe nga zgjedhjet demokratike, të organizuara nga organet kompetente të Republikës sonë”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Ndërsa, kreu i Qeverisë së Kosovës bën thirrje për integrim, përfaqësuesit serbë në anën tjetër, jo vetëm se e kundërshtojnë integrimin, por, sipas tyre, financimi i jetës publike e institucionale nëpër enklavat ku jetojnë serbët, tani kalon ekskluzivisht vetëm tek autoritetet e Beogradit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›