E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, ndalohet për trafik droge 23-vjeçari

Policia prangos Bedri Bashën, personi i tretë i akuzuar për trafikun e 370 kg hashash
GJIROKASTËR- Policia ka vënë në pranga një 23-vjeçar nga fshati Lazarat nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Sipas burimeve policore, shtetasi
Bedri Basha është i treti i ndaluar, përgjegjës për sasinë e 370.5 kg hashash, të kapur muaj më parë në Sarandë me destinacion Korfuzin. Burime zyrtare të policisë kanë theksuar se shtetasi Bedri Basha është arrestuar në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë, pasi për të ka nisur procedimi penal për veprën e "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". "Kapja e tij u bë për llogari të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, për arsye se në ngarkim të këtij shtetasi në muajin dhjetor të vitit të kaluar, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka nisur procedimi penal për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes se lëndëve narkotike",- është shprehur zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Po sipas të njëjtave burime mësohet se 23-vjeçari u është dorëzuar uniformave blu të komisariatit të Sarandës, për të kryer veprimet e mëtejshme.
Operacioni
Mëngjesin e 24 tetorit të shkuar në vendin e quajtur derdhja e Kanalit të Çukës, u finalizua operacioni i koduar "Vendosmëria", që bëri të mundur bllokimin e 370.5 kg kanabis (mariuanë e komprimuar) dhe të përpunuar, si dhe të dy poseduesve të lëndës.
Përparim Saliu, banues në Konispol dhe Emiliano Telhai, banues në Sarandë u ndaluan në flagrancë, duke transportuar mallin e paketuar në katër çanta të qepura enkas për këtë lloj transporti si dhe 20 pako të tjera të paketuara në qeska plasmasi të mbështjella me natriban. "Lënda narkotike u transportua me makinë tip benz me ngjyrë të bardhë, të cilit i është dashur të përshkojë rrugën tre herë i ngarkuar me çantat dhe 20 pakot, që peshonin rreth 11 kg secila"- tha pas operacionit policia e Sarandës, që sqaroi se destinacion ishte Korfuzi, vetëm 6 milje larg. Pas hetimeve, prokuroria e Sarandës arriti të zbulojë autorin e tretë të dyshuar për trafikun e drogës, pikërisht shtetasin Bedri Basha, lindur në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Prokuroria e Sarandës, mbi bazën e provave të siguruara ka nxjerrë aktin procedurial të ndalimit të këtij shtetasi me cilësinë e të implikuarit në prodhimin dhe shitjen e sasisë së 370.5 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›