E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët e ministrisë, në Korçë për meningjitin

Pacientet në përmirësim, por në spital vazhdon karantina. Enigmë, shkaku i sëmundjes
Korçë- Ministria e Shëndetësisë nis drejt Korçës një ekip të gjerë specialistësh për të konstatuar situatën shëndetësore të dy motrave Trëndafile dhe Esma Krasta. Alarmi i meningjitit ka mbërritur prej më shumë se 72 orësh në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkohë që kanë qenë vetë drejtuesit e spitalit rajonal të Korçës, të cilët kanë njoftuar me urgjencë drejtuesit e këtij dikasteri për situatën e papritur dhe konstatimin e sëmundjes së rëndë të dy motrave banore të fshatit Memlisht në rrethin e Pogradecit. Ekipi i shëndetit publik në Ministrinë e Shëndetësisë që ka mbërritur gjatë paradites së djeshme në qarkun e juglindjes, inspektoi fillimisht fshatin Memlisht, në Pogradec, familjen Krasta dhe më pas në Korçë, pacientet e prekura nga meningjiti. Drejtori i Shëndetit Publik në këtë ministri, Gazmend Bejtja, u shpreh se gjendja shëndetësore e dy pacienteve paraqitet e përmirësuar, brenda të gjithë parametrave jetësore, duke e kaluar rrezikun për jetën. "Është përcaktuar diagnoza e meningjitit, ashtu siç e kishin diagnostikuar edhe mjekët korçarë, por ende nuk është bërë i mundur përcaktimi i shkaqeve të kësaj sëmundjeje që në të dyja rastet është kapur në kohë",- tha ai. Grupi i inspektorëve ka parë nga afër edhe gjendjen në fshat dhe në familjen Krasta. Ata u shprehen se nuk përbën asnjë rrezik për përhapjen e kësaj sëmundjeje, pasi është bërë depistimi i të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me dy pacientët, duke iu referuar karantinës dhe mjekimit të dy të afërmve të dy të prekurave nga meningjiti. Gjithashtu spitali i Korçës vazhdon të jetë në gjendje karantine për një periudhë të gjatë, ndërsa nuk janë shënuar raste të reja të të prekurve nga meningjiti, i cili u shfaq tek Trëndafile Krasta, 25-vjeçare me temperaturë të lartë dhe të vjella, ndërsa më pas është sëmurur në të njëjtën mënyrë dhe motra e saj
22-vjeçare Esma Krasta. Nëndrejtori i spitalit të Korçës, Ilir Koroveshi në një prononcim të tij për gjendjen shëndetësore të dy vajzave shprehet se të gjitha parametrat e pacienteve janë të kënaqshme. "Megjithatë ato do të vazhdojnë të kurohen në këtë spital edhe për dy javë të tjera, për të evituar çdo të papritur, ndërkohë që do të vazhdojë karantina për to"- tha ai. Ndërkohë për kreun e shëndetit publik në ministri shqetësues mbetet mos zbulimi i shkakut të sëmundjes, që dyshohet të ketë ardhur nga emigrantët nga Greqia, të afërm të vajzave, të cilat i kanë pasur mysafirë në shtëpinë e tyre. E rëndësishme sipas tij, është situata e përmirësuar shëndetësore e dy pacienteve, të cilat kanë vënë në lëvizje dikasterin shëndetësor, por dhe angazhimin e drejtuesve dhe të gjitha bluzave të bardha në spitalin juglindor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›