"Çfarë po ndodh me emrat e fëmijëve shqiptarë?"
Para disa ditësh, një plak ishte duke i treguar një histori familjare nipërve të tij. Dikush nga fisi i tij i kish ardhur për vizitë në shtëpi. Quhej Mahmut. Fëmijët e tij, atëherë të vegjël nuk e njihnin, por kur dëgjuan këtë emër filluan të kakarisnin në të qeshura që s'mbaronin. Dëgjon dhe miku dhe i thotë të zotit të shtëpisë: Përse qeshin fëmijët? I zënë ngushtë, plaku që atëherë kish qenë rreth 35-vjeç i thotë pak me turp: qeshin për emrin tënd. Po kush ta ka vënë more derëzi dhe i nis dhe atij kukurisja. Më pas gjithçka kthehet në shaka. Në kohët e shkuara prindërit, të kushtëzuar nga kushtet ekonomike dhe zakonore, derdhnin tek e ardhmja e tyre një dëshirë për të frenuar vullnetin e Zotit për shumë fëmijë. Sose, Mbarime, Mjaftoni, kanë qenë emra që janë krijuar nga dëshira për të mos bërë fëmijë tjetër dhe që ishin rrjedhojë e varfërisë që kish pllakosur ekonominë shqiptare. Emra të tij vihen shumë rrallë në ditët e sotme, vetëm në nderim të ndonjë gjysheje që nuk jeton më, duke marrë një rrokje dhe duke e modernizuar. Por emrat e bukura shqipe janë shumë, si Flutura, Shpresa, Bajame, Pranvera, Shega, Fatime, që i përkasin një brezi që do zhduket pa u ritransmetuar. Ndërkohë që emrat Gëzim, Bashkim, Urim, Përparim, Alban, duket sikur përdoren më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri. Tendenca e shqiptarëve është t'i vënë emra të huaj fëmijëve të tyre, duke menduar se janë shumë internacionalë dhe kuptohen nga të gjithë. Emra si Stela, Keti, Luis e shumë amerikanizma, italianizma, greqizma kanë pushtuar listën e thërritjes së emrit nëpër shkolla. Kjo tendencë është akoma më e madhe në vendet ku shqiptarët kanë emigruar. Por sigurisht dhe ky është një shtrembërim që i bëjmë vetes, thjeshtësisht pa e kuptuar.
Një mendimtar i madh ka thënë që, bota është një fshat i madh, ku të gjithë pak a shumë ngjajmë me njëri-tjetrin. Na ndan vetëm e shkuara, kultura që paraardhësit na kanë transmetuar dhe do i trashëgojmë në të ardhmen. Shumë gjëra do ndryshojnë në të ardhmen. Por një gjë është e sigurt: koha do filtrojë modërat, por jo shqipen e kulluar. Ajo është pasaporta jonë, gjaku i jetës shqiptarëve në shekuj. Për atë gjuhë duhet të luftojmë të gjithë.