Gjirokastër, përplaset maunia me bombola gazi, shmanget shpërthimi
Dy maune janë përplasur me njëra-tjetrën, ndërkohë që njëra prej tyre transportonte bombola gazi. Ngjarja ka ndodhur në aksin kombëtar nacional Gjirokastër-Kakavijë, në afërsi të fshatit Frashtan, fare pranë godinës së një kompanie të prodhimit të lëngjeve freskuese. Shpërthimi i bombolave të gazit është arritur të evitohet në kohë, pasi në rast të kundërt do të shkaktonte shkatërrimin total të dy mjeteve të rënda së bashku me drejtuesit e tyre.
Policia e qarkullimit rrugor së bashku me Shërbimin Zjarrfikës kanë arritur të normalizojnë plotësisht gjendjen falë ndërhyrjes në kohë të tyre. Për drejtuesin e Policisë së Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit, Lefter Qiriqi, kamioni që transportonte bombolat e gazit me targa TR 1774 K, i drejtuar nga 42-vjeçari Roland Çeno, gjatë parakalimit në krahun e kundërt, është përplasur me maunen me targa SH 51 53 E, i drejtuar nga 50- vjeçari shkodran Tahir Buhaj, i cili po udhëtonte drejt Kakavijës. Falë njoftimit në kohë nga një dëshmitar okular, është bërë e mundur që situata të normalizohet dhe të 50 bombolat e gazit të mos shpërthejnë, mësohet të jetë shprehur nga vendngjarja Lefter Qiriqi, i cili njëkohësisht shton se në ndihmë të shërbimit të zjarrfikës, mbërritën edhe katër punonjës të qarkullimit rrugor të cilët bllokuan për 15 minuta lëvizjen e automjeteve në të dy anët e rrugës. Sipas tij, operacioni për lëvizjen e bombolave të rrezikshme ka përfunduar rreth orës 10:00, dhe gjatë aksionit nuk u shënua asnjë incident. Ndërkohë Inspektoriati i Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, ka zyrtarizuar shkaqet e aksidentit, duke pohuar se kamioni që po transportonte bombolat e gazit, ka tentuar të parakalojë në drejtim të kundërt dhe si pasojë të dyja automjetet kanë humbur drejtim duke u zhvendosur në krahun e djathtë të rrugës kombëtare në drejtimin jugor për Kakavije. Drejtuesi i kamionit shtetasi Roland Çeno, është dërguar urgjentisht në spitalin e Gjirokastrës për ndihmën e parë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.