Vesa Jazz Festival ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit
Teatri i Metropolit është kthyer tashmë në arenën ku zhvillohen aktivitete të rëndësishme kulturore në kryeqytet. Kështu pritet që ritmet e muzikës jazz do të pushtojnë për pesë ditë me radhë kryeqytetin. Nga data 12 deri më 16 maj 2009 jeta artistike e kryeqytetit do të lëviz në ritmet e muzikës jazz. Këto 10 vitet e fundit jazz-i filloi të lëvrohet në Shqipëri dhe është vënë re që interesimi i publikut për këtë rrymë është rritur gjithmonë e më shumë.
Përhapja e rrymës jazz në vendin tonë është bërë kryesisht nëpërmjet klubeve që performojnë jazz, koncerteve si dhe radiove. Një nga rrugët që ka përhapur dhe bërë të njohur këtë rrymë për publikun shqiptar janë edhe festivalet e jazz-it, të cilat kanë hyrë në kalendarin e përvitshëm artistik. Ky rrugëtim ka nisur në vitin 2000 dhe është zhvilluar në Odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Akademisë së Arteve dhe shesheve të ndryshme në rrethe. Festivalet janë organizuar kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Durrës. Muzikantët pjesëmarrës kanë qenë nga Shqipëria, Greqia, Zvicra, Serbia, Italia, Sh.B.A-ja etj. Këtë vit Vesa Jazz Festival vjen nën organizimin e Rei Jazz Club dhe Teatrit të Metropolit. Festivali vjen më të njëjtën filozofi më të cilën edhe ka nisur, të promovojë muzikën jazz, tradicional, standart, kreativ, modern dhe bashkëkohor, te të gjithë dashamirësit e tij. Vesa Jazz Festival 2009 do të vij në skenën e Teatrit të Metropolit, ky i fundit rreshtohet ndër bashkëpunëtorët e këtij edicioni. Në skenë do të përformojnë grupe nga më të mirënjohurit të rrymës jazz nga Italia, USA si dhe të ftuarit special që herë pas here do ti bashkëngjiten grupeve performuese gjatë të pesta netëve të këtij festivali.