E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Bushati, rizgjidhet kreu i PD në Shkodër

Astrit Bushati, është rizgjedhur sërish kreu i PD-së, së Shkodrës me shumicë votash. Duke lënë pas konkurrentin tjetër për këtë post Bashkim Rroji, deputeti Astrit Bushati është shpallur sërish kryetari i PD-së, dega Shkodër. Në këtë mënyrë PD-ja në Shkodër ka vendosur rrugën e vazhdimësisë nën drejtimin e Bushatit edhe pse brenda saj ka shumë pakënaqësi dhe anëtarë të partisë që duan ndryshim në lidershpin lokal. Por gjithsesi konferenca e 9-të, e cila është përshëndetur nga Jozefina Topalli, aktualisht njeriu më i rëndësishëm i kësaj partie në lidershipin e lartë në Tiranë, dhe ka qenë ajo që ka ndezur atmosferën e sallës së teatrit Migjeni. Topalli ka evokuar arritjet e demokratëve dhe ka shprehur siguri në fitoren akoma më të madhe të 28 qershorit. Ajo nuk iu ka dhënë rëndësi sondazheve por arritjeve, dhe u ka bërë apel shkodranëve për të mbështetur PD-në dhe Sali Berishën. Por, Topalli nuk ka harruar ti falënderojë shkodranët, të cilët i ka quajtur evropianë, për një Shqipëri që po ndryshon. Në fillim u duk se në votim do të kishte ndonjë ndryshim dhe se kandidatura e Rrojit do të përbënte pikërisht ndryshimin, por lobingjet e ndryshme të PD-së, shkodrane në fund kanë nxjerrë Astrit Bushatin fitues, përballë të riut Rroji. Votimi më pas nuk ka qenë interesant dhe po kështu as për mediat, të cilat që paraditen e djeshme morën vesh qartë, se fitues do të dilte i preferuari i Selisë Blu në Tiranë. PD-ja e Shkodrës konfirmoi se punon nëpër zyra pushteti se sa në selinë e saj dhe vijueshmëria që pushtetërore që ka akoma, tregon më të lehtë këtë mënyrë veprimi dhe jete politike. Por tashmë çdo gjë është normale në partinë më të madhe në Shkodër dhe patjetër që Bushati që nga Tirana, do të vazhdojë të drejtojë degën e PD-së, e cila nuk ka humbur asnjëherë përballë socialistëve. Patjetër që indikacioni nga Tirana ka qenë për të sprovuarin Bushati dhe me sa duket kandidatura e mirë e Rrojit ka qenë vetëm një risi momentale e kandidimit, për të mos shkuar më tej. Kandidatura e tij është pranuar dhe hedhur në tregun politik të Shkodrës, për të ndryshuar imazh dhe dhënë impulse të reja qytetit që zyrat e PD-së, i ka të mbyllura dhe aspak aktive. I vetmi sektor aktiv ka qenë pikërisht, kthina e zyrës së rinisë demokrate me Rrojin si iniciator i shumë veprimeve dhe qëndrimeve energjike. Ndoshta kjo është edhe mënyra për të vënë në lëvizje një makinë të sigurt elektorale, por që mekanizmat i ka të ndryshkura dhe sidomos tani me sistemin e ri zgjedhor si proporcional, ku socialistët patjetër do të kenë shansin të nxjerrin më shumë deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›