Gjirokastër, policia sekuestron 1 ton kanabis

Një operacion i koduar “Kordinata” i ndërmarrë nga policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur sekuestrimin e 1 ton droge e llojit kanabis sativa.
Specialistët dhe Agjentët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë grumbulluar informacione në rrugë operative se një grup i mirëorganizuar me veprimtari kriminale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike me shtrirje në disa rrethe, kishin grumbulluar në fshatin Lazarat dhe do të transportonin në drejtim të Sarandës e më pas në drejtim të Greqisë një sasi të madhe lënde narkotike.
Mësohet se droga është kapur në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë ndërsa në prangat e policisë ka rënë një person në makinën e të cilit u sekuestrua 820 kg kanabis.
Sipas informacioneve operacioni është kryer në dy faza ku në fazën e parë është sekuestruar 820 kg kanabis ndërsa në fazën e dytë është sekuestruar 180 kg drogë.
Ndërkohë mësohet se policia ka bërë të mundur arrestimin e shtetasi Artan Bresha pasi në furgonin e tij me targa të kryeqytetit është sekuestruar 820 kg kanabis ndërsa ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë.