E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjirokastër, praktikantët u angazhuan në procesin mësimor

Zhvillimi i procesit mësimor në kohë pandemie sigurisht që u shoqërua me problematika të ndryshme edhe në institucionet arsimore në Gjirokastër. Krahas stresit të mbartur të mësuesve e nxënësve u shfaq si problematikë edhe prekja e një numri të konsiderueshëm të mësuesve me Covid. Për të mos ndërprerë procesin mësimor, Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër e Libohovë iu desh që të angazhonte jo vetëm mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”, por edhe të rinj që zhvillonin praktikën e punës pranë këtyre institucioneve. 13 të rinj dhanë kontributin e tyre në mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë kësaj periudhe, kur shumë mësuesve u duhej të izoloheshin.

“Sigurisht që rritja e numrit të të infektuarve në qytetin tonë u shoqërua dhe me rritjen e mësuesve të prekur me këtë virus.Ishte një problematikë lidhur me zëvendësimin e tyre dhe me zhvillimin e procesit mësimor në këto kushte. Ne ia dolëm të punonim dhe mos mbyllnim asnjë shkollë gjatë kësaj periudhe duke zëvendësuar në mënyrë të menjëhershme mësuesit e prekur, por edhe ata që u karantinuan për shkak të familjarëve të tyre.Krahas mësuesve pritës nga portali “Mësues për Shqipërinë”angazhuam dhe praktikantët të cilët zhvillonin praktikën e punës pranë institucioneve arsimore. Sigurisht që angazhimi i tyre na ndihmoi për një zhvillim normal të procesit mësimor. Ishin 13 praktikantë që na mbështetën gjatë kësaj periudhe. U desh një punë e madhe nga drejtuesit e institucioneve arsimore të cilët punonin me orare provizore që do të thotë, zëvendësonin mësuesit që mungonin për t’u dhënë më tepër hapësirë atyre mësuesve që kishin brenda institucionit.Ishte një zgjidhje që të mbanim nxënësit brenda shkollave dhe procesi mësimor të zhvillohej normalisht, edhe pse në këto kushte të vështira. E them me bindje që sot ne jemi në kushte komode, pasi pjesa më e madhe e mësuesve tanë e kanë kaluar këtë sëmundje. Një ndihmesë shumë e madhe, për mësuesit në sistem, ishte edhe aplikimi i vaksinës antigrip e cila u ofrua falas.” – thotë përgjegjësja e ZVA Albana Hasanaj.

Nga 19 shkolla që funksionojnë në Gjirokastër e Libohovë 7 ndoqën skenarin e dytë për zhvillimin e procesit mësimor.Ishin kryesisht shkollat e qytetit, të cilat më parë punonin me një turn dhe dy nënturne. Ambientet e mjaftueshme fizike dhe numri i ulët i nxënësve në shkollat e fshatit ka bërë që në zonat rurale procesi të vijojë normalisht, pa u bërë pjesë e mësimit të alternuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›