Gjirokastër, pranga për vrasjen e vitit 1997
Në bashkëpunim me një tjetër, vranë me armë zjarri Eleni Kokan, në tentativë për ta grabitur
GJIROKASTËR- Ndalohet autori i dytë i një vrasjeje të ndodhur në vitin 1997.Mësohet se Specialistët Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë arrestimin e 37-vjeçarit Ardian Soko, lindur dhe banues në Delvinë. “Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Bilal Mehmeti nga qyteti i Delvinës, më datën 29.03.1997, në vendin e quajtur “Kthesat e Muzinës”, në aksin Gjirokastër-Sarandë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasen Eleni Koka dhe më pas i kanë vjedhur automjetin tip Benz me targë DL 0893 A të drejtuar nga bashkëshorti i viktimës, shtetasi Stefan Koka”, është shprehur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Ndërkaq, mësohet se ndalimi i 37-vjeçarit ka ardhur si rezultat i veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e RrethitGjyqësor Gjirokastër dhe punës operative. 10 ditë më parë, uniformat blu të Gjirokastrës bënë të mundur arrestimin e autorit kryesor të ngjarjes, 31-vjeçarit Bilal Mehmeti, lindur dhe banues në Delvinë. Zbardhja e kësaj ngjarjeje pas 11 vitesh u krye me anë të operacionit policor të koduar “Drejtësi e vonuar”. Ngjarja ka ndodhur mesditën e 29 marsit të vitit 1997 në aksin rrugor kombëtar Gjirokastër- Sarandë, në vendin e quajtur Kthesat e Muzinës,rreth 2 kilometra mbi fshatin Jorgucat.Shtetasit Bilal Mehmeti, Ilirjan Alinanaj, asokohe 20- vjeçarë, dhe Ardian Soko, të tri banorë të qytetit të Delvinës, i kanë dalë përpara të armatosur shtetasit Stefan Koka nga Delvina, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe 3 të afërm nga Kakavija në drejtim të Delvinës me automjetin e tij tip Mercedes Benz me targa DL 08 93 A. Mësohet se nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar çelësat e makinës, por në moment bashkëshortjae tij, shtetasja Eleni Koka, rreth 35-vjeçe, i ka marrë çelësat e makinës duke bërë rezistencë për të mos ua dhënë. Shtetasi Bilal Mehmeti e ka qëlluar me pistoletë në kokë dhe si pasojë e plagës së marrë, 35-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme.