E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvendosja e kamionëve, kundërshtojnë banorët

 

Kamionët u vendosën në një zonë në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Banorët: I largoni urgjentisht, na rrezikohet jeta

Prania e SO2 në ajër është përhapur deri në fshatrat kufitare të Shqipërisë. Lënda ndikon negativisht tek njerëzit,bagëtitë dhe bimët

KUKËS- Kufiri Shqipëri-Kosovë është hapur mbrëmjen e së martës, pas dekontaminimit të vendit ku ishin të vendosur kamionët që bartnin lëndë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve në terminalin e pikës doganore të Vermicës. Ndërkohë që kamionët e ngarkuar me vaj disulfurik me një përqindje të lartë të lëndës së rrezikshme janë zhvendosur në afërsi të vijës kufitare Shqipëri-Kosovë në mes të fshatit Brezne, të komunës së Dragashit dhe fshatit Zhur të Prizrenit, në afërsi të një prej depove të mbeturinave urbane të qytetit.

***

Por prania e SO2 (Sulfurit të Hidrogjenit) në ajër është bërë një shqetësim për banorët në të dy anët e kufirit. Sulfuri i Hidrogjenit ka kontaminuar ajrin në një rreze ajrore rreth pesë kilometra, duke u bërë shqetësim për banorët e zonave kufitare që shtrihen në të dy anët e kufirit si në Shqipëri e Kosovë. Vendosja e kamionëve në afërsi te depos së mbeturinave është pritur me reagime gjatë ditës së djeshme nga banorët e fshatrave Zhur e Brezne dhe në shumë fshatra të zonës së Opojës, por edhe nëfshatrat e brezit kufitar të Shqipërisë si në fshatrat Morin, Bardhoc, Zapod e Orgjost të rrethit të Kukësit. Banorët nuk i kanë lëshuar bagëtitë në kullotë nga frika e helmimit, por shumë prej tyre, sidomos fëmijët, nuk kanë dalë nga shtëpitë. Shqetësim kanë shprehur edhe banorët e fshatrave shqiptare. Sipas këtyre banorëve, era e rëndë vazhdon të jetë e pranishme, ku temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e saj. Banorët e fshatrave të Shqipërisë kanë stanet dhe kullotat në afërsi të kufirit me Kosovën. Ndërkohë që zona e Opojës në Kosovë, njihet si zonë që merret me blegtori, pasi ka shumë livadhe e kullota alpine.

Sipas specialistëve mjedisorë prania e SO2 ndikon negativisht edhe në zhvillimin e turizmit malor në zonëne Opojës. Banorët e zonave pranë e kanë ende të freskët çlirimin e gazit SO2nga ish- uzina e bakrit në Rexhepaj të Kukësit. Prania e sulfurit të hidrogjenit, megjithëse në sasi shumë më të vogla se me rastin e kamionëve bullgarë,kishte dëmtuar ndër vite prodhimet bujqësore e blegtorale si dhe kulturat dru- frutore.

***

Banorët e këtyre zonave kërkojnë nga autoritetet kosovare që të largojnë menjëherë kamionët e kontaminuar nga zona e Zhurit dhe e Opojës dhe të largohen prej andej nga kanë ardhur. Kufiri u bllokua të martën që nga ora 10:00 e paradites deri në orën 20:30 të mbrëmjes. Shkak për bllokimin e pikës doganore kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën ishtehelmimi i dy policëve të kufirit të SHPK-së, në Vermicë dhe të një doganieri, ndërsa këta po ushtronin kontroll në tre kamionë, që kishin deklaruar se janë të ngarkuar me vaj hidraulik. Por në fakt ka rezultuar se lënda që ata transportonin ishte e rrezikshme për jetën e njerëzve dhe për ambientin. Pas verifikimit është arritur në përfundimin se në kamionë kishte 60 ton mbeturina nafte të përpunuar nga Irani. Mësohet se lënda do të dërgohej për t’u përzierë me lëndë të tjera dhe do të shitej si benzinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›