E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina hyn në oborrin e shkollës, përplas tre vajza

 

Patos, adoleshenti ka humbur drejtimin e mjetit duke përfunduar në oborrin e shkollës. Dy të plagosura rëndë

PATOS- Një aksident i rëndë automobilistik i ka rrezikuar jetën disa nxënësve të një shkollë 9-vjeçare në qytetin e Patosit. Makina e drejtuar nga një 16- vjeçar pa patentë ka dalë nga rruga duke përfunduar në oborrin e shkollës duke marrë përpara tre persona. Një nxënëse 15- vjeçare dhe dy 20- vjeçare janë plagosur nga makina dhe kanë përfunduar në spital. Dy prej tyre janë dërguar për në kryeqytet pasi gjendja e tyre shëndetësore ishte e rëndë.

Dëshmitarët okularë pohuan se rreth orës 13.30 kanë parë një Benz me targa “FR 8055 C” që po lëvizte me shpejtësi të madhe rrugëve të qytetit. Pikërisht përpara shkollës 9-vjeçare “Hekuran Maneku” makina ka dalë nga rruga duke u përplasur me murin e shkollës. “Përplasja ishte tepër e fortë sa makina është përmbysur duke përfunduar në oborrin e shkollës. Në të ndodhej vetëm një djalë i vogël, i cili doli menjëherë dhe nisi të vraponte”,- thanë dëshmitarët okularë të ngjarjes. Sipas tyre, makina ka përplasur tre vajza që ishin duke kaluar në trotuarin pranë shkollës. “U trembëm shumë. Goditja ishte tepër e fortë dhe zhurma po ashtu. Ne ishim në orën e fizkulturës por e pamë të gjithë skenën dhe u llahtarisëm duke u larguar me vrap. Makina u përplas me murin dhe më pas bëri dy apo tre salto duke përfunduar në oborrin e shkollës e përmbysur. Ato të treja që u përplasën ishin në këmbë jashtë oborrit dhe po kalonin në trotuar”,- tha një nxënës i shkollës, i cili ka parë të gjithë ngjarjen. Zhurma ka bërë që në vendin e ngjarjes të mblidheshin forca të shumta policie, të cilat kanë bërë edhe ndalimin e 16-vjeçarit, i cili po tentonte të largohej. Ai është kapur disa metra larg shkollës dhe ka treguar se makina ishte e të atit por ai e kishte marrë “sa për të bërë një xhiro”. Vetë adoleshenti kishte dëmtime në trup dhe për këtë arsye është dërguar në spitalin e qytetit ku po mbahet nën mbikëqyrjen e policëve. Burime nga policia e Fierit bënë të ditur se të plagosurat janë Valentina Çala, 20 vjeç, Margarita Bega, 20 vjeç, si dhe një 15- vjeçare me inicialet I.B.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›