Gjirokastër, pushtohen të mbjellat nga karkaleci
GJIROKASTËR- Afrimi i stinës së nxehtë ka rikthyer një shqetësim mjaft të njohur për fermerët, pasi një pjesë e mirë e sipërfaqeve të mbjella në qarkun e Gjirokastrës janë sulmuar nga karkaleci. Gjendja paraqitet më e vështirë në katër komuna, në Cepo e Picar në rrethin e Gjirokastrës, si dhe Piskovë e Çarshovë në rrethin e Përmetit, ndërsa ka filluar gjithahstu edhe spërkatja.
Informacionet e marra pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit kanë bërë të ditur se me mbërritjen e fondit prej 1.2 milionë lekësh nga ministria përkatëse ka nisur edhe luftimi i këtij insekti. Pas monitorimit të plotë të situatës, janë ngritur edhe grupet e punës që kanë filluar. Është përgatitur harta e zonave me invazion më të lartë nga karkaleci dhe janë përcaktuar të gjitha masat. Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, deri në këto momente janë trajtuar 270 ha tokë, kryesisht zonat në afërsi të kulturave bujqësore. Specialistët e bujqësisë deklarojnë se situata është nën kontroll.
Ndërkohë dëmtimi i të mbjellave nga karkalecët është një fenomen mjaft i njohur për Jugun e vendit, por që çdo vit vjen duke u shtuar. Gjatë vitit të kaluar sipërfaqja e prekur nga karkaleci llogaritej në rreth 1500 hektarë.