E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, fushë sportive në Kombinat

 

Tiranë- Nxënësit e shkollës “Lasgush Poradeci”, në Kombinat do të mund të kryejnë aktivitetin e tyre fizik, sipas standarteve bashkëkohore. Këtë ua mundëson një fushë e re sportive e inauguruar dje nga bashkia e Tiranës, e cila ka premtuar se kjo hapësirë rekreative do t’i shërbejë dhe fëmijëve të komunitetit të zonës për t’u argëtuar në kohën e lirë si dhe gjatë pushimeve verore që po afrojnë.

Bashkia e Tiranës në kuadër të programeve sociale dhe edukuese, me qëllim sigurimin e ambjenteve bashkëkohore për fëmijët dhe të rinjtë e qytetit ka filluar zbatimin e projektit “Partneriteti Publik-Privat për një Komunitet në Zhvillim”. Projekti ka si qëllim mbështetjen e komunitetit të Tiranës, pikërisht banorëve më të vegjël në kopshtet e fëmijëve dhe më të rinjve në shkollat 9-vjeçare e të mesme të kryeqytetit, duke synuar kështu pajisjen e këtyre institucioneve me palestra, kënde lojrash, biblioteka, kompjutera, krijimin e terreneve sportive si dhe të ambjenteve rekreative në komunitet. Pjesë e këtij projekti është edhe ky mjedis i ri sportiv i sapoinaguaruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, me një vlerë prej 13 000 eurosh. “Pjesë-pjesë, hap pas hapi, muaj pas muaji ne po ndërtojmë një cilësi të re jete në komunitetet e kryeqytetit, në blloqet e banimit, ku mjediset sportive, çlodhëse për më të rinjtë dhe ato për më të mohsuarit do të shkojnë duke u shtuar. Ky është një tjetër mjedis sportiv që i shtohet jo vetëm një shkolle por edhe një komuniteti dhe të tjera mjedise ne do të vazhdojmë të ndërtojmë”- tha Rama gjatë inaugurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›