Gjirokastër, sërish reagime anti Bollano
Gjirokastër- Vazhdojnë reagimet anti Bollano në jug të vendit. Këtë herë ka qenë dega e shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria ajo që nëpërmjet një deklarate, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, organizatës “Omonia” dhe gjithë mediave akuzon Vasil Bollanon për politikë antishqiptare. Ky reagim pason atë të pak ditëve më parë, por të ardhur në mënyrë anonime në Gjirokastër.
Reagimi i shoqatës Labëria ka patur në fokus Omonia-n dhe në veçanti kryetarin e saj, Vasil Bollano, i cili etiketohet si ushqyes i frymës së antishqiptarizmës. ”Sot është koha e shkuarjes drejt Evropës me shikim të kthjellët e mentalitet të ri. Ne konstatojmë se me fqinjët tanë grekë dhe minoritetin e tyre po ndërtojmë marrëdhënie të sinqerta bashkëpunimi, lidhjesh shpirtërore, kulturore gjer në lidhje familjare, të cilat dëshmojnë se jemi të aftë për çfarë kemi arritur e që sigurisht dëshirojmë pa mëdyshje të ecim krahëpërkrah edhe në kohët që do të vijnë”,- thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, pjesë e deklaratës ka qenë edhe mosreagimi i shtetit shqiptar për këtë çështje. “Ne befasohemi edhe me heshtjen e qeveritarëve e të kryeministrit Berisha për çibanin Bollano që militon ende në qeverisjen vendore të Himarës. Pse dremit Kushtetuta dhe ligji shqiptar për këtë sfidant të paskrupullt të shqiptarëve?”- vazhdohet më tej.
Dy ditë më parë, në vende të dukshme në qytetin e Gjirokastrës ishin vendosur gjithandej letra-peticion kundër Bollanos.