Gjirokaster vazhdon lufta me zjarret

Këto janë të dhënat zyrtare të Policisë së Gjirokastrës, e cila vazhdon të jetë struktura kryesore që po ndihmon në shuarjen e zjarreve bashkë me zjarrfikësit. Ajo që spikat në deklaratën e policisë, nuk është se zjarret janë shuar, por është ndalimi dhe arrestimi i personave që u kanë vënë flakën kullotave dhe pyjeve me apo pa dashje.
Sipas informacionit zyrtar, Policia e Gjirokastrës thotë se janë ndaluar dhe arrestuar 6 shtetas si autorë të zjarrvënies me qëllim dhe po ashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 16 të tjerë si autorë të zjarrvënies nga pakujdesia.
“Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër është e vendosur të qëndrojë dhe të veprojë me të gjithë ashpërsinë e ligjit për të ndëshkuar dhe proceduar penalisht cilindo person, pavarësisht statusit, që do të rezultojë si autor i zjarrvënies me apo pa qëllim”, u shpreh zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës.
Gjatë rasteve të zjarrvënies, Policia e qarkut të Gjirokastrës ka angazhuar 25 mjete dhe mbi 200 efektivë, të cilët kanë ndihmuar jo vetëm në shuarjen e zjarreve, por edhe në shpëtimin e banorëve në disa fshatra në terren të thyer malor, ku zjarrfikësit nuk kanë ndërhyrë dot.