Gjirokastër, vazhdon mbledhja e donacioneve për Gërdecin
Banorët e rretheve të Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës vazhdojnë mbledhjen e donacioneve financiare për familjet e dëmtuara në ngjarjen e Gërdecit. Pjesë e kësaj fushate janë bërë institucionet shtetërore, organizma të ndryshme, shoqata jofitimprurëse etj. Aktualisht dega e Kryqit të Kuq në Gjirokastër nëpërmjet një fushate sensibilizimi iu ka bërë thirje banorëve dhe faktorëve të ndryshëm në Qarkun e Gjirokastrës që të kontribuojnë me ndihma financiare, ushqimore, veshmbathje etj për të dëmtuarit e Gërdecit. “Ne kemi gjetur mbështetjen e mjaft banorëve jo vetëm në qytetin e Gjirokastrës por edhe në rrethet e tjera të cilët kanë dhuruar sasira të konsiderueshme ndihmash kryesisht në ushqime dhe veshmbathje”, thotë koordinatorja lokale e Kryqit të Kuq, Aida Hysi. Ndërkohë punonjës të institucioneve të ndryshme kanë dhuruar nga paga e tyre mujore shuma financiare duke u solidariazuar kështu me famijet e dëmtuara të Gërdecit. “Stafi ynë ka vendosur që çdo punonjës të dhurojë një shumë prej 5 mijë lekësh për të dëmtuarit e Gërdecit”, pohojnë përfaqsuesit e monumenteve të kulturës në Gjirokastër. Ndërkohë edhe Këshilli I Qarkut Gjirokastër ka dhuruar një donacion prej 500 mijë lekësh për të dëmtuarit e Gërdecit. Këtyre nismave i është bashkuar edhe dega lokale e Lëvizjes Rinore përIntegrim në Gjirokastër. Të rinjtë e kësaj lëvizje kanë krijuar katër grupe për të mbledhur donacionet nga subjekte të ndryshme dhe banorë në qytetin e Gjirokastrës. Përpara disa ditësh banorët e rretheve të Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës u bënë pjesë e nismës mbarëkombëtare duke dhuruar gjak për të lënduarit dhe të plagosurit e tragjedisës së Gërdecit.