Sandokani në fshatin Laknas
Një fshat me emër të çuditshëm dhe një "hero" 13-vjeçar me emrin e çuditshëm të Robin Hudit të Malajzisë. Jeta në Laknas mes papunësisë, fshatarëve të lodhur që ia kanë varur fare tokës, mes kafeneve dhe fëmijëve
Laknas
E quajnë Sandokan, si gjatë ashtu edhe shkurt. Kështu i pëlqen ta thërrasin edhe në jetën e përditshme. Thotë se emrin ia kanë zgjedhur prindërit e po kështu dëften se ka shumë zët kur të tjerët mundohen t'ia shtrembërojnë. Sandokani është 13 vjeç dhe ndjek mësimet në klasën e 7-të në shkollën e ciklit të ulët në fshatin Laknas, 7 kilometër larg Tiranës, brënda komunës Kashar. Në këtë fshat me emër disi qesharak, banon edhe familja e tij e vogël, e përbërë nga vëllai Ramazani dhe dy prindërit. Ata jetojnë në një shtëpi të vogël përdhese, me të ardhura modeste, ashtu si edhe pjesa më e madhe e familjeve të fshatit që numëron thuajse 5 mijë banorë. Babai i Sandokanit punon në fabrikën e pllakave, diku përtej autostradës, ndërsa mamaja Luljeta, si shtëpiake e mirë, kujdeset për mbarëvajtjen e fëmijëve.
Kështu është jeta në Laknas. Ajo shtyhet herë me të mirë e herë me të keq, herë më punë e herë pa punë. Shumica e të rinjve ia kanë mbathur në emigracion ose ëndërrojnë të ikin një ditë. Është mesditë dhe në fshat pothuajse lëvizjet janë të rralla. Të vetmet ecejake vihen re në qendër të fshatit aty ku të rinjtë meshkuj në pamundësi për të gjetur punë të përditshme, tymosin duhan pa fund duke qarë hallet me njëri-tjetrin. Më shumë se punë, fshati duket se ka kafene. Tek-tuk vihet re ndonjë banore e fshatit, e cila tërheq lodhshëm pas vetes lopën. Në rrugët kryesore, xhang-xhing këmbë njeriu. Edhe në Laknas disniveli ekonomik është i dukshëm. Ashtu siç ka vila të bukura ka edhe shumë shtëpi përdhese të ngritura me mundin e punës së përditshme. Ajo që të vret syrin në fshatin fushor, është mungesa e tokës së punueshme e cila është zaptuar nga ndërtimet pa kriter. Edhe atë pak tokë të mbetur, fshatarët e mbjellin jonxh për të ushqyer gjedhët. Kështu është pak a shumë në të gjitha fshatrat e zonës. Mungesa e tregut të shitjes së produkteve duket se i ka lodhur fusharakët të cilët ia kanë varur fare tokës.
Një mesoburrë i thinjur, i cili mban hedhur çadrën mbi sup, a thua se parandjen prishjen e motit, na mbin papritur para syve. Pyesim ku është shkolla. Duket që e ka me ngut, por nuk përton të na dëftejë me gisht, se për të arritur në destinacionin e kërkuar duhet të ndjekim xhadenë dhe më pas të marrim kthesën në të djathtë. Për fat të mirë rruga kryesore që lidh fshatin fushor me autostradën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas me Kamzën, është e asfaltuar në të gjithë gjatësinë e saj. Themi për fat të mirë, pasi rrugicat e tjera të fshatit janë si mos më keq, të mbuluara nga balta dhe pellgjet me ujë. Në një nga këto rrugica, vetëm pak minuta larg shkollës e ka shtëpinë edhe Sandokani.
Është mesditë dhe vështirë se mund ta gjejmë në shtëpi djaloshin me emrin e çuditshëm që jeton në një fshat me emër po kaq të çuditshëm. Duhet të drejtohemi doemos për te shkolla. Për habinë tonë, para se të marrim kthesën e fundit që na drejton për në objekt, një tabelë sinjalizuese rrugore, na vë në dijeni se duhet të ulim shpejtësinë në maksimum pasi në zonë ka lëvizje nxënësish. Habitemi, pasi nuk e prisnim një tabelë të tillë në një fshat si Laknasi, aq më shumë kur dihet se këto tabela në shkollat e Tiranës numërohen me gishta. Sigurisht që gëzohemi dhe mendojmë se ky duhet të jetë shembull i mirë edhe për drejtuesit e pushtetit vendor në kryeqytet. Për fat kemi mbërritur në shkollë në orarin e pushimit të gjatë. Oborri gëlon nga gjallëria e nxënësve që i gëzohen pas disa orëve mësimi pushimit 15 minutësh. Nxënësit shtyjnë njëri-tjetrin, ndërsa ne na duhet të gjejmë në morinë e tyre Sandokanin. Nuk është se e kemi të vështirë ta pikasim se në cilën klasë ai mëson. Të gjithë nxënësit e njohin. E në fakt nuk ka si të jetë ndryshe. Përpos emrit disi të veçantë që e dallon nga shokët, ai është edhe nxënës shëmbullor, çka e bën më të afrueshëm me pjesën tjetër të nxënësve. Një vajzë topolake, e cila gati sa nuk përplaset me derën e shkollës, ndal turravrapin dhe na prezantohet menjëherë si kushërira e Sandokanit. "Kë doni, Sandokanin? Hajdeni se ua tregoj unë ku e ka klasën", dëften vajza gjithë kureshtje. Korridori është i mbushur plot më nxënës ndërkohë që mësuesi dezhurn mundohet të vendosë rregull. Edhe ne kemi humbur në gjallërinë e moshës fëminore. Duhet sërish zëri i ëmbël i vogëlushes, që të shkundemi nga andrallat.
"Ja ku është", thotë vajza, ndërsa pa i mbushur mirë të qindtat e sekondit, ia mbath me vrap drejt oborrit të shkollës. Një letër e vendosur mbi derë na tregon se po trokasim në klasën e 7-të. Një zë na fton të futemi brenda. Është mësuesja kujdestare, Afërdita Çejku. Paçka se kemi mbërritur në moment të papërshtatshën, pasi prezantohemi, ajo na fton të futemi në klasë. Duhet të themi se kemi qenë me shumë fat. Kjo pasi nëse do të ishim vonuar edhe pak, Sandokani dhe shokët e tij të klasës do ishin larguar. Kemi rastisur pikërisht në mbledhjen e prindërve, një moment i mirë ky për të dëgjuar jo vetëm vlerësimet por edhe problemet që shqetësojnë komunitetin e nxënësve në shkollën e Laknasit. Klasa është e rregulluar këndshëm. Ato që të bien më shumë në sy janë hartat e anatomisë së trupit dhe këndi i të dalluarve varur diku mbi mur. Mësuese Afërdita, kërkon të ulemi në një nga bankat e klasës. Për pak çaste edhe ne do ta ndjenim veten në rolin e prindit. Por duket se jo të gjithë nxënësit i kanë thirrur baballarët apo mamatë në mbledhjen e parafundit për vitin shkollor. Ka edhe nga ata që i kanë bërë bisht kërkesës së mësueses kujdestare, e cila duket fort e shqetësuar për mungesën e disa prindërve. Si duket notat e këqija në mësime i kanë trembur shumë nga nxënësit.
"Sajmir pse nuk e ke sjellë prindin", i drejtohet mësuese Afërdita njërit prej nxënësve, që duket se është më trazovaçi i klasës. Sajmiri mundohet të gënjejë, por duket senuk po ia hedh aq kollaj kujdestares së tij e cila ia njeh mirë huqet. Ajo i kërkon djalit, i cili mundohet ta marrë gjithçka me shaka, që të niset urgjent në shtëpi dhe të sjellë prindët në të kundërt nuk do të pranohet të futet në asnjë orë mësimi.
Rregulli është i njëjtë për të gjithë. Më korrekt me thirrjen e mësueses kujdestare është treguar Sandokani. Mamaja e tij Luljeta ka mbërritur më herët në klasë dhe po pret me padurim të mësojë ecurinë e djalit. Po kështu edhe prindërit e tjerë, të cilët kanë menduar të lënë për pak çaste punët e ditës dhe t'i përkushtohen shkollës së fëmijëve. Në të vërtetë përsa i përket mësimeve, nuk është se ka shumë për të folur, pasi të vetmit që kanë denjuar të sjellin prindërit në mbledhje janë nxënësit e mirë. Mësuesit në shkollën e Laknasit e kanë më të lehtë të kontrollojnë nxënësit gjatë orës së mësimit.
Kjo shkollë nuk ka probleme me mbipopullimin, ashtu siç ndodh rëndom në Tiranë. Një klasë nuk ka më shumë se 20 nxënës. Xhensila, Fatime, Bilbili, Blediani, Rozeta, Alberti dhe Sandokani janë ndër më të dalluarit e klasës së 7-të. Janë edhe të vetmit nxënës që veshin uniformën shkollore: këmishë të bardhë me kravatë të kuqe.
Shqetësim i përbashkët i prindërve është gjuha angleze. Këtu duket se çalojnë të gjithë, ndërkohë që kërkesa e prindërve është që të rritet edhe niveli i mësimdhënies. Ata janë të vetëdijshëm që fëmijët e tyre mësojnë në fshat, por në fund të fundit, u takon të flasin si prindër që kërkojnë më të mirën për fëmijën. Një tjetër pikë shqetësuese është edhe sjellja e disa nxënësve, të cilët janë kthyer në shqetësim për pjesën tjetër të klasës. Duket se zgjidhjen më të mirë e ka gjetur topolakja Rozeta, e cila ka vendosur t'i rrahë vetë çunat që e ngacmojnë. Me shaka, mësuesja kujdestare, thotë se vajza e cila është njëkohësisht nxënëse e mirë, është kthyer në tmerrin e djemve të shkollës. Kjo duket se e bën disi krenar babain e Rozetës, i cili shikon gjithë admirim të bijën.
Sa për Sandokanin, mësuesja shprehet, se djali vazhdon të jetë një nga nxënësit më të mirë të klasës. "Lëndët që ai pëlqen më shumë janë ato ekzakte. Ka pak rënie në lëndët shoqërore por shpresoj se Sandokani do t'i jap forca vetes që t'i përmirësojë defektet". Ky është vlerësimi që kujdestarja jep për nxënësin Sandokan Manzi, i cili në regjistër mban numrin rendor 17-të. Të njëtin mendim ndan me mësuesen edhe mamaja e Sandokanit e cila premton se do t'i qëndrojë më shumë mbi kokë të birit. "Përgjithësisht Sandokani është tip i qetë. Kështu ka qenë edhe fëmijë. I pëlqen të pikturojë dhe të lexojë". Kështu e përshkruan Luljeta, djalin e madh të familjes, ndërsa shton se ajo ka dëshirë që Sandokani të arsimohet në mënyrën më të mirë dhe të bëhet i vlefshëm në jetë. "Nuk duam që fëmijët tanë të vuajnë si ne. Duam të rriten të arsimuar dhe të kenë jetë më të mirë se tonën". Këtë mendim prindërit ia kanë injektuar edhe vetë Sandokanit. "Më pëlqen të lexoj. Ndonjëherë edhe pikturoj." Kaq thotë Sandokani dhe buzëqeshja i ndriçon fytyrën, ndërsa hedh sytë nga shokët që ia kanë dhënë gazit. Sa për emrin që i pëlqen shumë, ai lë të flasë të mirë e ëma.
"Ka qenë më shumë një fiksim pas personazhit. Para se të lindte djali, shfaqej filmi "Sandokan". Mua dhe burrit na pëlqente shumë ky film. Edhe kunatit i pëlqente. Ramë dakord që kush të lindte djalë i pari, do të kishte të drejtë të vendoste emrin Sandokan". Kjo është pak a shumë historia e emrit Sandokan që mbante personazhi i filmit, një tip Robin Hudi i Malajzisë. Bastin brenda familjes duket se e fitoi Luljeta dhe bashkëshorti i saj. Por edhe kunati i Luljetës, megjithëse lindi gocë, nuk është se doli duarbosh. I magjepsur pas mjekes bukuroshe në filmin "E bija e Maharaxhait", ku sërish protagonist është Kabir Bedi (Sandokani), ai vendosi ta quajë vajzën Mesuar. Gjithsesi, Luljeta e di fare mirë, se ndryshe është të jesh Sandokan në film dhe ndryshe në Laknasin e banuar nga të papunë. Ajo dhe bashkëshorti i saj kanë menduar një të ardhme krejt ndryshe për djalin e tyre. Megjithëse jetojnë në fshat, të njëjtat kërkesa kanë edhe prindët e Laknasit. Ata nuk duan që fëmija t'u kenë të ardhme të zymtë. Ndahemi nga Laknasi, Sandokani dhe shokët e tij të klasës, me shpresën dhe urimin e mirë që këta fëmijë, të cilët fati i lindi në fshat, të çajnë në jetë dhe të ndryshojnë hiret e vendit ku po rriten.
Somario
Ashtu siç ka vila të bukura ka edhe shumë shtëpi përdhese të ngritura me mundin e punës së përditshme. Ajo që të vret syrin në fshatin fushor, është mungesa e tokës së punueshme e cila është zaptuar nga ndërtimet pa kriter.
Mua dhe burrit na pëlqente shumë ky film. Edhe kunatit i pëlqente. Ramë dakord që kush të lindte djalë i pari, do të kishte të drejtë të vendoste emrin Sandokan". Kjo është pak a shumë historia e emrit Sandokan që mbante personazhi i filmit, një tip Robin Hudi i Malajzisë
Emrat si përfaqësim i vetëdijes shoqërore
Thonë se gjithçka mund të harrosh në shtëpi, por emrin ama kurrë. I bukur, i shëmtuar, na pëlqen apo ajo, ai është mjeti identifikues me të cilin përfaqësohemi kudo që shkojmë, në çdo segment të jetës, nga lindja në vdekje. Në këtë drejtim popujt kanë traditat e tyre. Në këtë mes nuk mund të bëjnë përjashtim as shqiptarët, për të cilët thuhet se tradita e emrave të njerëzve ka lindur më vetë gjuhën e këtij populli në epokën paleokristiane. Gjuhëtari Çlirim Bidollari, në studimin e tij mbi onomastikën (shkencën e emrave) "Populli shqiptar, sistemi i denominacionit", kumton se përgjatë shekujve megjithë pushtimet e gjata, të perandorisë Romake, Bizantine, sundimi Otoman, shqiptarët kanë arritur të ruajnë gjuhën e tyre por jo emrat. Kjo për shkaqe që kishin lidhje me vetë ekzistencën e tyre.
Vendosja e emrave në popullsinë shqiptare njeh disa periudha ku ajo në të cilën do të mundohemi duke iu referuar një prej studimeve më të fundit në këtë fushë, ai i profesor Bidollarit është periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo pas Luftës së Dytë Botërore me vendosjen e regjimit komunist dhe periudha ndërrimit të sistemeve. Përsa i përket Rilindjes, profesor Bidollari vë re në studimin e tij, se kjo periudhë karakterizohet nga vendosja e emrave antikë heroikë dhe atyre me origjinë shqiptare. "Rilindja Kombëtare shqiptare e shekullit të 19-të mori shkas nga Rlindja italiane, e cila përdori emra antikë si psh: Akil, Hektor, Parid, Helena, Uliks, Odise, Aleksandër, Çezar, Spartak etj". Studiuesi thotë se kjo ishte periudha e zgjimit patrotik e mbi të gjitha e emrave me origjinë shqiptare. Këta emra të origjinës erdhën në një situatë krejtësisht të re të vetëdijes së shqiptarëve, që kërkonin të distancoheshin nga emrat turq që ishin vendosur deri në këtë kohë. Për gati 5 shekuj myslimanët shqiptarë ishin parë si turq dhe të krishterët si grekë. Kjo kategori emrash u ndalua mbi të gjitha pas Luftës së Dytë Botërore me ardhjen në pushtet të komunistëve, ku filloi lufta kundër besimit fetar. Gjatë periudhës së komunizmit emrat myslimanë filluan të zëvendësosheshin me emra sendesh konkretë si Guri, Diella, Ylli, Hëna, Ylberi, Bora. Po kështu këto emra u zëvendësuan me emra lulesh dhe kafshësh si Dafina, Violeta, Luan, Pëllumb, Shqiponja, Dallandyshe. Në këtë periudhë dhe sidomos pas vitit 1967, kur u shpall e hapur edhe lufta kundër besimit, filluan të lindnin edhe emrat abstraktë si Besa që përkufizonte nderin, Jeta, Agim, Merita, Çlirim, Gëzim, Përparim etj. Sipas profesor Bidollarit, kjo është edhe periudha më e larmishme e vendosjes së emrave, ku nuk mungojnë emrat me natyrë etniko-natyrore si Këlmend, Dukagjin, Dardan etj. Përveç emrave shqiptarë, në sundimin e regjimit komunist, sidomos para prishjes me Bashkimin Sovjetik, pati një dyndje të madhe të emrave sllavë, si Sashenka, Oleg, Aljosha, Natasha, Tatiana, Ludmilla, Sergei, Katjusha, Nikita, etj si edhe të mbiemrave të përdorur si emra si: Pushkin, Kirov, Lenin, Stalin, Molotov, Lisenko, Fadejev, Timoshenko, Matrazov. Po kështu gjatë regjimit komunist, si rrjedhojë e politikës së kohës, vihen re edhe emra nga Revolucioni Francez. Por ajo që është më e rëndësishme, dhe e cila nuk dallohet në Rilindjen Kombëtare, është fakti i kthimit pas shumë shekujsh në modë e emrave ilirë, të cilët fundosën përfundimisht emrat myslimanë. Kështu pas vitit 1967 fillon gjallimi i emrave ilirikë si Etleva, Alketa, Adriana, Anila, Agron, Daren etj. Dhjetëvjeçari i fundit i sundimit të regjimit komunist sjell atë që quhet epoka e emrave modernë dhe fillimin e humbjes së identitetit të emrave shqiptarë që vazhdon edhe sot. Sipas profesor Bidollarit, periudha e vendosjes së emrave në regjimin komunist zgjati për gati tri dekada. Në vitin 1990, modernizmi konkretizohet si fenomen me futjen e emrave të rinj të huaj. Në 10 vjeçarin e fundit ka dyndje emrash që kryesisht janë italianë, gjermanë, anglezë si edhe emra personalitetesh të politikës, të fushës së artit etj. Kështu nga Italia vijnë emra të tillë: Bruno, Laura, Evelina, Aurora, Xhiliola, Fjoralba, Fabiola; nga Gjermania; Matilda, Ilda (në gjermanisht Hilde), Albert, Ernest; nga Franca; Marius, Kozeta, Zhak, Zhani; nga Spanja: Inesa, Izaura, Romario,Ronaldo, Armando, dhe nga Anglia: Denis, Sara Herald, Dejvi, Geri. Po kështu gjatë viteve të fundit vihet re edhe emra që nuk janë përdorur më parë si Françeska, Paola, Anxhela, Xhovana, Anamaria, Analisi, Bianka, Dajana, Gloria, Flavia, Sindi, Kevin, Gert, Arnold, Jurgen, Marius, Patrik, Ted dhe Uesli. Gjuhëtari na sqaron se ka një tendencë për t'u vendosur fëmijëve këto emra dhe për t'i regjistruar emrat e huazuar në gjendjet civile sipas gjuhës nga ata janë marrë. Kjo sipas tij sjell plagosje të rregullave ortografike shqiptare që nuk duhet lejuar. Por Shqipëria, ka edhe fenomene të çuditshme përsa i përket temës në fjalë. Këtu duhet përmendur lista e zezë e emrave të ndaluar, ose siç njihet ndryshe në gjendjet civile të vendit: "emrat përçmues". Me një vendim të gati dy viteve më parë, Ministria e Punëve të Brendshme, ndaloi rreptësisht vendosjen e emrave të tillë si: Ankim, Arançata, Avash, Bretk, Berr, Burgim, Ballokume, Car, Cub, Curranë, Gallata, Pseerdhe, Ekran, Helme etj. Profesoresha e Gjuhësisë, Anila Omari, shpjegon për gazetën se aktuliasht në Shqipëri, po dominon vendosja e emrave të huaj, ndërkohë që ajo mendon se në një të ardhme jo shumë të largët, shqiptarët do t'i kthehen sërish emrave të tyre të origjinës, ashtu si edhe ka ndodhur në të kaluarën. Ajo thotë se vendosja e emrave të huaj, më shumë se zvetënim i përkatësisë fetare, te shqiptarët është çështje mode, e cila do vijë një ditë që do të ndërrohet ashtu siç edhe ndërrojnë edhe veshjet e stinës.
d.l
Somario
Por Shqipëria, ka edhe fenomene të çuditshme përsa i përket temës në fjalë. Këtu duhet përmendur lista e zezë e emrave të ndaluar, ose siç njihet ndryshe në gjendjet civile të vendit: "emrat përçmues"
Vendosja e emrave të huaj, më shumë se zvetënim i përkatësisë fetare, te shqiptarët është çështje mode, e cila do vijë një ditë që do të ndërrohet ashtu siç edhe ndërrojnë edhe veshjet e stinës.