Bizhutë e Musine Kokalarit
Ekskluzive / Veshjet që Musine Kokalari përdori në vitet e fundit të jetës në internim ku dha shpirt më 13 gusht 1983. Nipi, Platon që gëzon të drejtën e trashëgimisë së veprës, boton së shpejti "Jeta ime në Rrëshen". Një fragment nga shënimet e vitit 1940 dhe nga vitet 1981 po i botojmë sot për herë të parë KavajëDy ditë pas shpërthimit në Gërdec Tirana u gdhi në rrebesh shiu. Përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Durrës udhëtarët me kokat djathtas kanë parë rryma gri të ajrit të cilat e kishin mbuluar tokën dhe dukej se dilnin nga një vatër që s'i ka shteruar tymi. Në mendjet e njerëzve Gërdeci u bë qelizë kanceri në metastazë. Brigada ushtarësh ndodheshin buzë rruge si të kishin marrë turnin. Ka pak ditë që Gërdeci është bërë shkas i skandaleve politike dhe nga ajo ditë duket që ushtri e polici t'ia kenë varur fare. Tragjeditë gjithnjë zgjasin një sekondë, çfarë ndodh pas është pastrim i gjëmës nga tullat, dherat dhe... kufomat. Sado të egra forcat e natyrës qofshin me njeriun, sepse duken të pafajshme përpara veprave shtazore të njeriut.
Duke hyrë më këmbë në Kavajë, vështirë të mos ia vësh në dyshim statusin e qytetit. Është më pak se qytezë nga ato të ndërtuarat me punë vullnetare. Parafabrikate, lagështirë, karroca, çakull dhe burra që shtëpinë e Platon Kokalarit dhe Platonin vetë e njohin dyqind metër larg. Sepse Platoni ka pesëdhjetë vjet që jeton në Kavajë dhe 31 vjet te pallati me tulla silikat. Ai dhe gruaja e tij me dy fëmijët, ishin një nga 100 familjet e internuara në Kavajë të cilat me ndërrimin e sistemeve ikën prej andej. Fëmijët u Kokalarëve u larguan njëri në emigrim tjetri në Tiranë, po burrë e grua nuk e lanë Kavajën. Më vonë ai do thoshte me një buzagaz pleqërie se shumica e krimeve nën regjimin e Hoxhës kanë ardhur nga "bisedat e dyshekut burrë e grua", pra të diktatorit me të shoqen që shokët e armëve, shoferë, furrëtarë e bujq në zanat, i bënë gjykatës, xhandarë dhe qytetarë Blloku.
Platoni afrohet me hap të lehtë. Mban kostum gri, kapele bojëkafe, dhe duket elegant sikur ka dalë nga skenat familjare të viteve tridhjetë që shkuarjen në kishë e kanë ditë feste dhe çmalljeje me njerëz. Pallati duket i sulmuar nga të katër anët nga shiu dhe lagështira.... "Kur do ta dorëzojë Ndërtimi pallatin!" i shkruante Musineja "të dashurit Platon" në vitin 1981. Për Musine Kokalarin ishte rruga deri këtu. Brenda këtij pallati i inxhinierisë socialiste, Platoni dhe gruaja e tij Bibika ruanin boçet me veshjet e saj, valixhen prej rrobe dhe shtresat ku kishte dhënë shpirt më 13 gusht 1983 në atë "pallatin" e Rrëshenit ku ishte internuar pas vite e vite burg.
Bibika dhe Vera, ja dy gratë që Musineja i përmend në letërkëmbimin me Platonin, të cilin ajo e thërret nip dhe me dashuri i drejtohet shkurt Toton (Platon Kokalari është biri i Salim Kokalarit i pushkatuar, djal i xhaxhait të Musine Kokalarit). Vera, disa vite më e vogël se Musineja (1917-1983), tani ka humbur shikimin, jo kujtesën. Një ditë, më 1982, nga Klinika Onkologjike në Tiranë, ajo merrte këtë letër nga Musineja:
"E dashur Vera,
kam kohë që jam pa lajme: Si jeni me shëndet? Sot u shtrova në repartin e kirurgjisë. Nuk e di si do të shkojë puna. Në qoftë se do të pësoj gjë, unë dua, si teshat, të hollat t'i marrësh ti. Dorëshkrimet që i kam në një çantë plasmasi t'i dorëzosh në arkivin e shtetit e të lihen te dorëshkrimet e Sotir Koles. Vërtet unë i kam mbledhur e përpunuar, por ai ka qenë frymëzuesi dhe mësuesi t'im.
Ju përqafoj të gjithëve, Musine"
Një letër e vitit 1981 kur Musine Kokalari ishte diagnostikuar tashmë me tumor, Platon Kokalari pati bujarinë ta shkëpuste nga fondi i dorëshkrimeve që ai ka daktilografuar për botim, "Shekulli" po e boton për herë të parë. Bashkë me të edhe një letër të muajit dhjetor 1941. "Vetëm e vetëm për të marrë vesh kush është Musineja dhe e vërteta. I thonë tjetër për tjetër ato që janë për Musinenë", shton Plantoni duke në lënë dy fletë në dorë.
Për një moment dukej i pabesueshëm kur tha se po përgatiste për botim një vëllim kujtimesh me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Musinesë. U duk i pabesueshëm sepse ishte i qetë. Nuk kishe nevojë të provonte një gjë që e kishte bërë tashmë. Në një dosje me fletë të daktilografuara nga ai, Platoni na tregoi në dorëshkrim "Jeta ime në Rrëshen". Arkiva e saj që ruhet në këtë shtëpi ka edhe shkrime në zhanret e portretit apo skica, ese, dëshmi që para se të botohen Platoni ka për t'u kujdesur që emrat e të gjallëve që përmenden aty të dalin me iniciale.
Bibika, një grua e butë që ka jetuar në internim që e re me familjen e saj, ndërhyn dhe kujton se "hallë Musineja" duhet të ketë letërkëmbime me spitalin. Ishin dy vjet plotë që ajo udhëtonte Rrëshen-Tiranë. Nuk i rrihet pa përmendur "akuzën" e fundit që i është bërë të shoqit, Platonit: duhet arrestuar për një krim ndaj kulturës kombëtare. Mban peng veprën e Musine Kokalarit.
Po këto janë të gjitha sajesa nga sharlatanët studiues të Tiranës apo ata njerëz që zihen dhe për eshtrat e të vdekurve.
"Çfarë është thënë për varrimin me tela me gjemba në duar, për "pasurinë" që la pas apo për adhuruesit e Musinesë, janë të gjitha sajesa. Ajo e ka shkruar në letra se hyri në spital me pallto dhe doli me fustan. Letrën e 41-it po jua jap për të mos komentuar me fjalë të tjera daljen e figurës së Musinesë në ankand. Ajo ishte patriote dhe nuk bënte kompromis me padrejtësinë."
Platoni vë atë buzagazin kur ia kujtojnë dhe tani një gjoja kërkesë martese të Enver Hoxhës të cilën Musineja e refuzoi. Me aq sa ka seleksionuar nga arkiva e saj dorëshkrimore, nuk është gjetur ndonjë portret i skicuar për figurën e Hoxhës. Për të ai kishte mbetur "kushëriri i madh" që "merr poza" dhe që për fisin e Kokalarëve ishte "non grata".
Atëhere, Bibika që rrotullonte në duar gjatë bisedës një unazë ari kujtim nga Musineja për dhimbshurinë që ajo dhe Platoni i kishin dhënë kur të gjithë i ishin larguar, ngrihet, vendos një shkallë në korridor dhe nxjerr nga depoja në tavan, bizhutë e vërteta të Musine Kokalarit. "I kam ruajtur për muze", thotë Bibika.
Bluzë leshi, bluzë mëndafshi dhe një tjetër me azhur qëdisur nga vetë Musineja, një çantë elegante me rrip të gjatë, një tjetër me rripa dore që Vera e ka mbajtur deri vonë. Një shall leshi bardh, zi e kaltër. Një kostum i gjelbër me jakë të ngrënë. Nga brenda dhomës, Vera kish imagjinuar deri atëherë shtatin e gjallë të Musinesë dhe thotë: "Kishte këmbë dhe duar të vogla".
Dhe bruci i pavdekshëm i çobenëve të cilin gruaja e mbante dimrit. Bibika psherëtin dhe na kërkon të mos shkojmë deri tek dysheku dhe jorgani i leckës ku ajo dha shpirt.
Janë objekte të dhimbjes por që kanë për ne një rëndësi të veçantë, prandaj janë të çmuara, të bukura. Na kujtojnë një njeri të bukur dhe na sjellin pranë një njeri që nuk e lanë të jetojë, një njeri që luftoi e vetme kundër forca të njeriut.
Albumi i fotografive është objekti i fundit i "muzeut".
E habitshme është se në dy foto ajo mban një apart fotografik në dorë dhe ka të ngjarë që peizazhet dhe romët që ajo ka fotografuar dhe i ka arkivuar në këtë album të jenë fiksuar nga dora e saj. Portreti i Musine Kokalarit resht së paraqituri aty nga viti 1946. Ndërsa ky album nuk ka foto tjetër të sajën pas vitit 1945, si për të kujtuar gjithnjë një Musine të re. Ky vend e ka ngrënë gjithnjë rininë.
Më vonë ai do thoshte me një buzagaz pleqërie se shumica e krimeve nën regjimin e Hoxhës kanë ardhur nga "bisedat e dyshekut burrë e grua", pra të diktatorit me të shoqen që shokët e armëve, shoferë, furrëtarë e bujq në zanat, i bënë gjykatës, xhandarë dhe qytetarë Blloku
"I kam ruajtur për muze", thotë Bibika. Bluzë leshi, bluzë mëndafshi dhe një tjetër me azhur qëdisur nga vetë Musineja, një çantë elegante me rrip të gjatë, një tjetër me rripa dore që Vera e ka mbajtur deri vonë. Një shall leshi bardh, zi e kaltër. Një kostum i gjelbër me jakë të ngrënë. Nga brenda dhomës, Vera kish imagjinuar deri atëherë shtatin e gjallë të Musinesë dhe thotë: "Kishte këmbë dhe duar të vogla".
Dhe bruci i pavdekshëm i çobenëve të cilin gruaja e mbante dimrit. Bibika psherëtin dhe na kërkon të mos shkojmë deri tek dysheku dhe jorgani i leckës ku ajo dha shpirt.
Janë objekte të dhimbjes por që kanë për ne një rëndësi të veçantë, prandaj janë të çmuara, të bukura.
Nga letrat e pabotuara të Musine Kokalari
I dashur Toton,
Më datën 24 Tetor të nisa një pako Nr. 200 ku kisha brenda një copë të zezë për Haxhon dhe dy bluza për më të rejat. Nuk e di a e more apo jo? Më lajmëro. Në rast se pësoj gjë, dëshira ime e vetme është që plaçkat e mia të gjitha t'i marrë Vera. Kjo ka qenë punëtore e thjeshtë si mua dhe sot jeton me një pension të vogël. Për këtë dhe ekonomitë e mia të vogla, në qoftë se mbeten t'i marrë Vera në arkën e kursimit. Ato janë kursime të mundimshme të një pune të rëndë ku kam derdhur djersë për një copë bukë dhe nuk e dija atëherë se do vinte një ditë që një sëmundje sa e rrezikshme dhe e papritur më kërcënonte. Vera ta ketë guximin t'i marrë të gjitha.
Sipas fjalës së Dr. unë sot duhet të isha shtruar në klinikën onkologjike në Tiranë. Si u ktheva nga Tirana, i drejtova një letër Drejtorisë së Spitalit, të shoqëruar me telegram e me përgjigje të paguar që të caktonin ditën dhe mundësisht të shtrohesha mbas dreke mbasi zor se gjeja vend në hotel. Herën e fundit mu desh të kërkoja vend në shtatë hotele dhe me zi gjeta në hotelin e ri Tirana. Gjer më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe nuk e di me të vërtetë se kur do të shtrohem. Shtatë muaj bëj lart e poshtë dhe kur ri e mendohem, nuk e kuptoj se ku duhej dalë me këtë kontroll. Thanë që kam patur përmirësime po e kam patur me të vërtetë? Ky është një qëndrim i çuditshëm. Që datën 16 Tetor që nisa telegramin gjer më sot, asgjë! Pres dhe më e keqja do të jetë në qoftë se shtrohem dhe pas saj të ngjajë largimi nga kjo banesë.
Se si do të përfundojë kjo çështje nuk e di.
Prapë do të të shkruaj
Ju përqafoj të gjithëve
Musine
28 Tetor 1981
----------------------------------------Përballë pushtuesit
Nga Musine Kokalari
Më kujtohet që udhëtoja me tren. Ishte një kolonel dhe tre oficerë të rinj. Unë kisha zënë një cep dhe nuk ndjehesha mirë. Dëgjoja, thoshte koloneli:
- Ne kemi derdhur miliona në Shqipëri, prandaj na takon ta kemi këtë vend të egër e të prapambetur që imperua t'onë ta qytetërojë.
- Po, - u hodh një oficer i ri. Atje ka karoca që i bien borisë. Gratë dalin mbuluar. Ka injorancë.
- Është vend i prapambetur, - tha i treti.
- Njerëz të egër dhe të ftohtë. Nuk e kuptojnë të mirën që ju kemi bërë. Nuk të afrohen.
- Kanë patur nevojë për këtë pushtim,- tha i katërti.
- Ashtu është e drejta – shtoi koloneli.
- Ne po kryejmë një mision historik dhe duhet ta çojmë gjer në fund.
Si mbaruam muhabetin, njëri ofroi karamele. M'u drejtua mua. I thashë faleminderit. Jam e sëmurë.
Oficeri i ri kishte qitro. Do t'ju jepte shokëve. I thotë koloneli: mbaji se atje ku shkon (po vinin në Shqipëri) nuk ka.
- Ja, - tha oficeri, - zonjushës që është e sëmurë do t'ia fal një qitro.
I thashë faleminderit. Zoti kolonel thotë mirë, në vendin tonë nuk ka qitro.
Ata erdhën e mbenë.
- Ju, ju, jeni, jeni shqiptare?
- Po, - i thashë, - unë jam shqiptare.
- Po ne fualmë pak – po është e vërtetë që janë derdhur miliona në Shqipëri?
- Atë se dimë. Atë e dini ju kujt ja keni dhënë. Milionat në janë derdhur në xhepin e të mëdhenjve, s'i ka marrë populli.
- Po ne kemi një mision historik, të qytetërojmë Shqipërinë.
- Ne nuk ju kemi thirrur. Ju erdhët me armë. Ne ju pritëm me armë. Na pushtuat.
- Ne do ta civilizojmë vendin, - thanë ata.
- As këtë s'ja kemi kërkuar që me anën e pushtimit të na civilizoni. Ne të rinjtë po mësojmë dhe po ne do t'a civilizonim vendin t'onë që ju e pushtuat.
Dhjetor 1941