E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastra. E folura e saj siç nuk e njohim

Profesor Xhaxhiun e gjejmë brenda "kullës" së tij. Një studio e thjeshtë, një makinë shkrimi "Oliveti", pothuajse shekullore (ai thotë se nuk arriti ta bënte kapërcimin drejt kompjuterit) dhe shumë letra të përhapura gjithandej, libra, shënime. Edhe pse po i afrohet të 88-ave, Xhaxhiu nuk e ka bërë ende paqen me leximin dhe librat. Duket se të tjerat e lodhin, ndaj dhe i shikon disi me mospërfillje. Demokracia, sondazhet, zgjedhjet që po afrojnë duket sikur janë të largëta për profesorin. Sepse ora e tij ka ngelur tek një tjetër botë. Ajo e Plutarkut dhe e Aristotelit, e Eskilit dhe e Dantes. Për Xhaxhiun, ai është universi i tij, sepse ka mbi 60 vjet që jeton brenda tij. Dhe ndjehet mirë. "Mikenët dhe pellazgët" është libri më i fundit që po shfleton sipas metodës së tij. Shënime, nënvizime, skeda dhe sërish nënvizime. Aref Mati ka disa teza interesante, thotë profesori. Vetë Xhaxhiu ka mbi 30 artikuj e studime të botuara rreth problemit të etnogjenezës së shqiptarëve si pasardhës të pellazgëve. Kur e pyesim se deri ku do të shkojë, thotë se "nuk pretendon shumë. Dua vetëm të kem tullën time në murin e madh të pellazgjishtes". Mësojmë edhe për fjalorin e së folurës gjirokastrite. Ka 12 vjet që punon për të. Çdo ditë rrëmon në kujtesë për të nxjerrë një fjalë, një shprehje apo një epitet. Është një punë e mundimshme. "Duhet të kesh aleat kujtesën", thotë profesori. Shpesh konsultohet me një tjetër gjirokastrite. Zonja e tij është një skedulante e mirëfilltë. 24 karat gjirokastrite edhe ajo. E pyesim profesor Xhaxhiun se kur do t‘i thotë stop të gjithave. "Deri sa të më mbajë mendja", thotë duke qeshur.

Fjalori i së folurës gjirokastrite duket se do të jetë një vepër fare e veçantë në llojin e saj. Si erdhi te ju kjo ide?

Fare natyrshëm. Në fillim, më kujtohet, më shtyu një ide. Ishte e vjetër dhe kishte vite që e kisha brenda vetes. Ishte më shumë si një dëshirë për të gërmuar brez pas brezi në fjalë e frazeologji tipike gjirokastrite. Pra një dëshirë për t‘i "fosilizuar" ato në mënyrë që të mbeten, të njihen për të kuptuar se si flitej dikur, por edhe se si flitet tani, veçanërisht në brezin e vjetër. Fjalët i kam mbledhur dhe i kam hedhur sikundër më janë kujtuar nga koha e fëmijërisë dhe e rinisë sime të hershme. Madje shumë prej tyre janë ajo pjesë e fundit e ligjërimit të nënës sime. Më kujtohet kur me orë të tëra rrija e dëgjoja muhabetet e shtruara mes anesë sime dhe gjitonëve të mëhallës. Shpesh thoja me vete: Kjo është gjuha e vërtetë shqipe. Nuk besoj se ka tjetër. Më kujtohet një herë, duhet të kem qenë në fillore, kur zoti Sadik, mësuesi im, në një orë mësimi tha: "Duhet të presim se bie shi i madh". U ngrita dhe i thashë duke menduar se po e korrigjoja. "Nëna dhe gjyshja ime thonë se bie tellua". Zoti Sadik m‘u përgjigj qetë. "Xhaxhiu, kjo është fjalë e botës, s‘është e jona". Do të kalonin dhjetë vjet që të mësoja se "tellua" do të thoshte "fundi". Atëherë sapo kisha filluar të mësoja greqishten e vjetër në degën klasike të gjimnazit.

Si arritët ta sillnit të gjallë këtë gjuhë. Pra si arritët ta mbronit atë në shenjtërinë e saj, ashtu sikundër ajo është përdorur të themi 100 vjet më parë?

Fare thjesht. Përmes shumë kontakteve me familjen, me fqinjët, me farefisin. Duke dëgjuar pafundësisht ligjërimet e anesë sime që në fëmijëri. Më pas, mosha e rinisë brenda së njëjtës atmosferë tipike gjirokastrite. Shikoni, edhe gruan jo rastësisht e kam marrë nga i njëjti qytet (shpesh e kam edhe atë si një burim konfirmimi për shumë fjalë, për të cilat nuk jam i sigurt). Pra i gjithë ky univers gjirokastrit mundi të mbajë gjallë ato zakone e frymëmarrje të pastër e fisnike të vendlindjes e veçanërisht atë pasuri gjuhësore e aq të veçantë në tërë vendin, karakteristike për qytetin e murrëtyer, por që ka brenda kaq diell e dritë (Argyrocastrum - kala e argjendtë).

Cilat kanë qenë vështirësitë, aq më tepër që ju nuk jeni një leksikograf i mirëfilltë?

Në fakt, është ashtu. Por mua më ka mjaftuar të di shkrim e këndim dhe mbi të gjitha t‘i thërras kujtesës. Është një sfidë që ia kam vënë vetes, njëfarë basti me vetveten, i cili më kthehej hera-herës në një shqetësim. Megjithatë ishte një shqetësim i këndshëm, edhe pse i mundimshëm. Mendoni, kohë e tërë e humbur duke u rropatur së kujtuari ndonjë fjalë, ndonjë shprehje, një epitet apo një folje. Dhe kur e gjeja (madje pikërisht në momentin kur isha tërësisht i dorëzuar në humbje) çlirohesha si nga një ankth që më zinte frymën.

Fjalori, veç fjalëve karakteristike të së folmes së qytetit, ka edhe fjalë të veçanta nga shqipja standarde për të treguar shmangien nga norma fonetike, nga rregullat e pranuara të drejtshkrimit. Për shembull, fjalë të tilla si: si (sy), di (dy), frij (fryj). Ose shumë fjalë që kanë në trungun e tyre shkronjën j shkruhen me shkronjën l. Kështu do të veçoja golë (gojë), val (vaj), bilë (bijë), shkëndile (shkëndije), male (maje) etj. Ka edhe fjalë kur shkronja l është shndërruar në r. P.sh. gjalpër (gjarpër) ose e kundërta bilbil (birbil) etj.

Si është e folmja gjirokastrite. Sa është ajo turke, greke apo tipike shqiptare?

Në trungun e saj është tërësisht shqiptare. Por ka edhe fjalë të huaja. Dhe është e natyrshme. 500 vjet robëri osmane nuk janë pak. Është një tronditje. Ka edhe fjalë greke. Kuptohet. Greqia është fqinji më i afërt. Kemi vajtur dhe kanë ardhur. Pra është lënë pas diçka. Për gjuhën angleze thonë se ka 40 për qind galicizma (fjalë nga gjuha e galëve) e megjithatë është një gjuhë angleze.

Mbi ç‘kritere jeni mbështetur për hartimin e fjalorit?

Kam dashur të paraqes në fondin leksikor të ligjërimit të përditshëm atë që është thelbësore, origjinale, tërësisht vendase. Ka disa specifika gjuha e Gjirokastrës. Duhet shënuar p.sh. se në të folmen e qytetit mungon shkronja y, pra thuhet si për (sy), di (dy), frij (fryj), kriej (kryej). Por ka edhe shumë fjalë që kanë në rrënjë shkronjën j në këtë të folme, kanë shkronjën l: bile (bije), golë (gojë), val (vaj), male (maje) etj. Në vetën e dytë të numrit njëjës të disa foljeve në mënyrën lidhore marrin ç në vend të sh. Kështu thuhet "dua ta mbaroç", "ta bëç", "të shoç" etj.

Megjithatë, besoni se do të lini pas një vlerë, apo jo?

Kur e nisa këtë punë, 12 vjet më parë, vrisja mendjen e thoja shpesh me vete: Ǒpo më shtyn në këtë rrugë tani në të ngrysur? Megjithëse në mjegull e shikoja më qartë se kurrë ndonjëherë zbrazëtirën që kisha lënë pas.

Fjalë në të folmen gjirokastrite

Anapolla - së prapi

Anangj - nevojë, hall

Ashqimo - i shëmtuar

Abansez - papandehur

Bace - shuplakë

Bidate - kotësira (na nxori bidate - hiçgjë)

Brashnja - këpucë të grisura

Cimbidh - mashë për të trazuar zjarrin

Humbameno - njeri që nuk është i zoti për asgjë

Cfarangonjë - merimangë

Cukumidhe - hithër

Bujumbu - kravatë

Andireps - kam turp

Anagule - ndjesia e të vjellurit

Bibliografi e botime

"Kritikë dhe studime letrare", shtëpia botuese "Naim Frashëri", 1975

"Shkrimtarë, vepra dhe dukuri letrare", shtëpia botuese "Naim Frashëri", 1981

"Sofokliu, tragjiku i madh i Greqisë së lashtë", "Toena", 1998

"Letërsia botërore"

"Letërsia antike greke"

"Letërsia antike romake"

Nga krijimtaria letrare

"Lirika", poezi, shtëpia botuese "Naim Frashëri", 1957

"Rapsodi magjare", poezi, 1957

"Vargje për dashurinë", poezi, 1963

"Ujërat e pranverës", poezi, 1971

"Ditë maji", poezi, 1987

"Kënga e mjellmës", poezi, 1999

Vepra të përkthyera në shqip

"Vese lotësh", antologji e poezisë botërore, 1994

"Endre ady", poezi 1998

"Antologji e poezisë bullgare", 2001

"Antologji e poezisë lirike botërore", 2005

Midis tri boteve

Thotë se është më shumë pedagog se sa poet apo studiues. Por të tjerët këmbëngulin se mbi të gjitha, Muzaferi është poet. Madje poet i një ndjenje të hollë, vibrante nga ajo që vdes së bashku me autorin. Edhe pse na tregon librat me studime, sytë na mbeten te vëllimet me poezi. Atje ku Xhaxhiu është i tëri Xhaxhi. Edhe këngëtar i dashurisë, edhe lajmëtar i saj. Katër-pesë brezat e studentëve që ai ka kaluar në 40 vitet e mësimdhënies së tij në universitet e kujtojnë si lirikun e brishtë, ai që dinte të ndërtonte një varg mbi bukurinë e femrës dhe sharmin e saj. Herë lirik e herë erotik, Xhaxhiu poet është i tëri ndjenjë, madje edhe tani në prag të 88-ave. Na kujton disa vargje si për të treguar se është po ai edhe në këtë moshë:/Zura be të heq dorë nga çdo marrëzi/nga një vetëm s‘do mund/të mos bëj dashuri. Por Xhaxhiu ka për zemër të tjera vargje. Nuk i kujtohet kur i ka shkruar, pasi për të dashuria nuk ka moshë e kohë, sepse është e njëjtë dhe digjet brenda të njëjtit zjarr. Kush i këndoi dashurisë/re nuk iu duk se flet çapraz/a duket fundi i thellësisë/kur deti shkundet në tallaz/sa zë të them se sa të dua/tufani zemrën ma përplas/a mund të duket as më thua/fundi i detit në tallaz? Bota tjetër e profesorit është ajo e mësimdhënies. Janë me mijëra ata që kanë kaluar nëpër duart e tij. Tani janë bërë shtetarë, poetë të mëdhenj, studiues të shquar e emra të spikatur. Nëse kudo që i takon, gjithsecili prej tyre sjell një histori, një thënie dhe një kujtim për profesor Xhaxhiun, këtë legjendë të gjallë të letërsisë antike greke e romake.

Tituj, medalje, urdhra

Mban titullin "Profesor Doktor"

Medaljen "Mësues i Merituar"

Urdhrin "Naim Frashëri i Klasit të Parë"

Urdhrin "Naim Frashëri i Klasit të Dytë

Medaljen "Mjeshtër i Madh i Punës", dhënë nga Presidenti i Republikës, në vitin 2001



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›