Nora, qeveritarja e parë në Arabinë Saudite
Është dyzet vjeçe, e martuar me dy fëmijë, ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njeh mirë gjuhën angleze dhe ka një eksperiencë të gjatë në administratën publike. Kurrikulumi i Nora al Fayed lë jashtë vetëm një detaj shumë domethënës: fustanin deri në fund të këmbëve dhe një shall në harmoni perfekte me të, që i mbulon kokën, siç është rregulli për funksionarët e Mbretërisë Saudite. Por, megjithëse fytyra është e zbuluar ajo nuk ka frikë të shfaqet në publik dhe me bashkëbiseduesit e saj vendas, apo të huaj nuk e ka zakon të tërhiqet pas: "Nora tregon gjithmonë bujari, ka vendosmëri të madhe në vetvete dhe është shumë e qartë në ato çka thotë", tregojnë ata që e kanë takuar dhe e njohin mirë para se Mbreti Abdullah ta emëronte zëvendësministre për Edukimin Femëror. Një surprizë për të gjithë kjo zgjedhje e tij. Në fakt, ky emërim përbën një eveniment të rrallë, sigurisht, sepse flasim për një vend si Arabia Saudite. Nora është gruaja e parë që hyn në qeverinë saudite dhe njëkohësisht përfaqëson një revolucion për vendin e saj. Me siguri, një kthesë që u përket të gjitha femrave të Mbretërisë, më pak të njohura dhe më pak të përfshira në shoqëri se meshkujt. Por, njëkohësisht kjo zgjedhje shënon një evolucion social në vendin më konservator të botës arabe. Një vend, që sipas një raporti të "Human Rights Watch Group", kontrolli i burrit mbi gruan hyn si në planin moral, ashtu edhe në atë social. Aty gratë duhet të kenë lejen e një mashkulli të familjes për të punuar, udhëtuar, studiuar, martuar, madje edhe për të marrë ndihmën mjekësore. Ato nuk mund t‘i japin makinës, por as nuk mund t‘i regjistrojnë fëmijët në shkollë pa lejen e burrave. "Gratë saudite trajtohen gjithmonë sikur të ishin fëmijë", thekson raporti i Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Por, a do të ndryshojnë gjërat tani që Nora al Fayed është pjesë e qeverisë së Riadit? Përtej karakteristikave personale dhe detyrës për të cilën është zgjedhur, (arsimimi është një sektor që lidhet me të ardhmen e vendit), duken qartë qëllimet e Mbretit Abdullah, i cili që kur ishte thjesht princ trashëgimtar, këmbëngulte në nevojën për të shpejtuar evolucionin e mentalitetit mashkullor në favor të emancipimit femëror. Por sapo u zgjodh mbret, në gushtin e vitit 2005, u duk sikur iu nënshtrua presioneve të grupeve fetare konservatore, duke i ftuar gratë të jenë "shumë të duruara". Megjithatë, në vitet e para të Mbretërisë, Abdullah ka arritur të hedhë poshtë paragjykimet shekullore, duke u dhënë grave të drejtën për të votuar, por jo për të kandiduar në zgjedhjet e marsit të vitit 2007, për këshillat administrativë të organizatave që përfaqësojnë guidat fetare për myslimanët pelegrinë. Një hap jo shumë i madh, por, gjithsesi, domethënës, duke marrë parasysh kundërshtimet e përgjithshme dhe klimën në vend. Që Nora al Fayed është njeriu i duhur për një emancipim, e tregon më së miri kurrikulumi i saj. Pas kthimit të saj nga SHBA-ja disa vjet më parë, ajo ka punuar me princin Walid Bin Talal, anëtar i familjes mbretërore dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, që sipas klasifikimit të bërë nga "Forbes" mban vendin e 13. Të dy punuan për krijimin e "Kingdom Private School", një shkollë private e destinuar për të formuar elitën e re ekomomike dhe politike të vendit. Programet dhe organizimi i brendshëm u lanë në dorë të saj. Pasi u largua nga kjo detyrë, Nora u kthye në Institutin e Administrimit Publik, ku deri pak ditë më parë mbante postin e drejtoreshës së përgjithshme për seksionin femëror. Një detaj i biografisë së saj na ndihmon për të kuptuar më mirë zgjedhjen e Mbretit Abdullah. Nora i përket një prej pesë fiseve të Fayed-it, asaj me origjinë nga qyteti i Fara-s, jo shumë larg Shagras, në të njëjtën provincë të Riadit. Familja e saj, shumë konservatore, është konsideruar e afërt me Mbretin Abdullah. Pikërisht prejardhja e saj, tregojnë ata që e njohin, mund ta ndihmojë në detyrën për emancipimin e vendit, pa vënë në rrezik ekuilibrat e brendshëm. Në Arabinë Saudite, ku traditat janë të rëndësishme, "është shumë e lehtë të vendosësh për të bërë ndryshime nëse ke qëndrim konservator". Sigurisht që emërimi i saj është një sinjal për botën e jashtme, të cilës Abdullah ka dashur t‘i tregojë se kërkon të rrëzojë paragjykimet dhe rolet e konsoliduara sociale, sigurisht pa trauma të rrezikshme për vetë Mbretërinë. Po ashtu, ai ka dashur t‘i tregojë opinionit publik vendas, se ndryshimi do të vijë përmes konsolidimit dhe përhapjes së arsimimit. Në të vërtetë, sauditet kanë treguar se janë më këmbëngulëse dhe më të shkolluara se bashkëpatriotët e tyre meshkuj: popullsia universitare e Mbretërisë përbëhet 70 për qind nga femrat. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Arabia është vendi i vetëm në botë, ku femrat nuk mund të ngasin makinën dhe kjo përbën një problem të madh për gratë e shkolluara në vend. Për këtë arsye, shumë prej tyre i kanë kthyer sytë nga Nora. Krejtësisht kundër kësaj është edhe Amira al-Tawil, gruaja e princit Al Walid Bin Talal dhe një nga femrat më të njohura në vend. "Kam një patentë ndërkombëtare dhe e ngas makinën kur udhëtoj jashtë vendit. Jam gati ta ngas makinën edhe në vendin tim kur të lejohet", tha ajo në një intervistë për të përditshmen saudite "Al Watan". Në të vërtetë, Almira nuk është e vetmja grua që e kërkon këtë të drejtë të mohuar. Sigurisht që nuk ka ndërmend të bëjë si 47 sauditet, që në vitin 1990 vendosën të ngisnin makinën nëpër rrugët e Riadit. Të rrethuara nga policia, u arrestuan të gjitha dhe vetëm një vit më vonë doli ligji që nuk i lejonte gratë të ngisnin makinën. Almira përmend edhe rastin e një intelektualeje, që pasi kishte marrë patentën jashtë dhe kishte dërguar një peticion me 3 mijë firma së bashku me aktiviste të tjera për të marrë të drejtën për të drejtuar makinën, u arrestua ndërsa dhunonte këtë gjë të ndaluar në Dahran, një vend saudit, vitin e kaluar për festën e grave. Gruaja e princit nuk mendon të ndjekë shembujt më lart, por uron me gjithë shpirt që Nora të mund të bëjë diçka për ta rrëzuar këtë. "Përse të mos jemi edhe ne si femrat e tjera në botë. Jam e bindur se Nora, si femra e parë në qeverinë saudite, do të bëjë shumë gjëra për të na mbështetur, mes të cilave do të jetë edhe e drejta për të ngarë makinën", përfundon ajo.