E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjirokastra bëhet pjesë e fushatës kombëtare #TëBesoj

Lançohet në Gjirokastër fushata #TëBesoj e UNICEF për ndalimin e Abuzimit Seksual të Fëmijëve në Shqipëri. Kjo fushatë kombëtare synon  ndërgjegjësimin mbi problematikën e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijës dhe nxitjen e kulturës së ngritjes së zërit dhe raportimit kundër kësaj dukurie.

“Është një kënaqësie madhe që jemi sot në qytetin e Gjirokastrës për të lançuar fushatën “Të besoj” të UNICEF në Shqipëri. Gjirokastra bëhet qyteti i 11-të që i bashkohet kësaj fushate dhe për këtë falënderojmë kryetarin e bashkisë, që u dha mundësinë qytetarëve të Gjirokastrës të njihen me fenomenin, por edhe me mesazhet që përcjell kjo fushatë. Objektivi kryesor i saj është ndërgjegjësimi i qytetarëve, mbi fenomenin e shfrytëzimit dhe  dhunës seksuale të fëmijëve të ndodhur në Shqipëri, denoncimi i këtij fenomeni dhe njëkohësisht një punë më e madhe e aktorëve dhe faktorëve vendor dhe lokal për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij problemi. Fushata synon gjithashtu, nëpërmjet siluetave që të ndërgjegjësojë të gjithë qytetarët me historitë që mbajnë trauma dhe dhimbje , të mbledhura në një kohë shumë të shkurtër nga organizata bashkëpunëtore të UNICEF.”- thotë Eris Kasmi, ekspert komunikimi në UNICEF, Shqipëri.

Gjatë aktivitetit, Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi, Prefekti i Qarkut Odise Kote dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Lindita Rova premtuan mbështetjen institucionale për politika dhe veprime konkrete.

Instalacioni prej 50 siluetash fëmijësh, secila me një histori reale të abuzimit seksual do të qëndrojë për dy javë në qendrën e pazarit karakteristik. Këto histori të abuzimit seksual në Shqipëri, të treguara në këtë instalacion synojnë të demonstrojnë që fenomeni i Abuzimit Seksual të Fëmijëve është shumë herë më i përhapur dhe shkatërrues sesa mendohet, ndodh në sy të të gjithëve dhe kërkon ndërhyrje proactive të menjëhershme.

Sipas Policisë së Shtetit, 60% e rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri kryhen kundër fëmijëve. Në shumicën e rasteve, abuzuesi është nga rrethi i besimit të fëmijës, ndërsa 1/3 e rasteve është pjesëtar i familjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›