“Gjirokastra ishte si Thumana pas tërmetit”, Rama tregon projektet në qytetin e gurtë

“Gjirokastra nga një organizëm në agoni, është kthyer në një organizëm të gjallë që lëviz dhe që ka tani më një ambicie të justifikuar për ta parë të ardhmen ndryshe me optimizëm dhe energji të shtuara hapa pas hap”, deklaron Kryeministri Edi Rama lidhur me investimet e realizuara përgjatë këtyre viteve.
Për kryeministrin Rama sfida është që Gjirokastrës t’i jepet jetë universitare.
Ai përmendi shembullin e Gjergjit, një emigranti i cili është rikthyer me bashkëshorten e tij greke dhe kanë investuar në Gjirokastër. “Janë 106 biznese të reja që kanë aktivitet fitimprurës, sikundër këtu kemi një sërë investimesh në vazhdim që do sjellin jetë në Gjirokastër. Është një organizëm që është zgjuar pas një agonie dhe i duhet kohë për të vrapuar. Por e ardhmja do jetë e shkëlqyer për Gjirokastrën. Sfida është që Gjirokastrës t’i japim përmasën e duhur të një qyteti universitar të lidhura me traditën dhe trashëgiminë kulturore janë histori fantastike suksesi”, theksoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se tashmë Gjirokastra është njësoj si kantieret rindërtimit. “E kemi gjetur njësoj si Thumana pas tërmetit në sensin e rrënimit jo me një goditje por të rrënimit të ngadaltë. Ky vend këtu është një simbol se si një rrënojë është kthyer në një burim energjie dhe fitimi”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se në Gjirokastër janë një sërë projektesh që presin të marrin jetë duke filluar nga baypasi i këtij qyteti, parkimin e madh apo edhe rikonstruktimin e disa shtëpive dhe disa zonave.