E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama inspekton punimet në kantierin e Spitalit Rajonal Memorial në Fier

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar kantierin e Spitalit Memorial të Fierit.

Për ndërtimin e këtij spitali me mbështetjen e qeverisë turke, është punuar pa ndërprerje pavarësisht kushteve tĕ motit si edhe me tre turne.

Kryeministri Rama pa nga afër ecurinë e punimeve në ditën e 24 në këtë kantier, ku pasi është shtruar e gjithë infrastruktura nëntokësore dhe hedhja e themeleve, po ngrihet struktura metalike antisizmike.

Rama u njoh nga drejtuesit e këtij projekti se deri në çfarë fazë kanë arritur punimet për Spitalin Memorial të Fierit, i cili sipas premtimit të qeverisë turke do të përfundojë brenda 3 muajsh.

Drejtuesit bënë me dije se së shpejti do të nisë puna nga brenda ambienteve ku dhomat do të jenë me nga një krevat dhe me tualet, ndërsa po ndërtohet edhe urgjenca.

“Janë mbaruar gërmimet dhe mbushjet, rreth 30 mijë metër kub gërmime dhe po vazhdojnë njëkohësisht disa procese. Paralelisht po punohet për montimin e hekurit në seksionin D, vazhdohet nivelimi në seksionin A. Seksioni F që është dhe seksioni i urgjencës dhe i dhomave të krahut të majtë”, -u shpreh supervizori i punimeve.

Ai theksou se “çdo seksion i spitalit do të lidhet me njëri tjetrin falë korridoreve lidhëse. “Nëpërmjet korridoreve seksionet do të lidhen me njëra-tjetrën, ndërkohë vazhdojmë dhe me betonimin e themeleve të seksionit kryesor që do të jetë një ndërtesë dy kate”.

Paralelisht ouna vijon edhe me shtrimin e rrjetit elektrik dhe kanalizimeve si edhr për rrugën në mënyrë që të mbarojë në të njëjtën kohë.​

Spitali Rajonal i Fierit do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.

Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve, do të kryhet në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›