E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjirokastra me qendër shëndetësore verore, 24 orë në shërbim të turistëve prej qershorit në shtator

Për herë të parë në Gjirokastër do të funksionojë një qendër shëndetësore që do të ofrojë shërbim shëndetësor për turistët, që këtë verë do të vizitojnë qytetin e UNESKO-s.

“Kjo qendër e re do të shërbejë për të gjitha rastet urgjente që mund të kenë problematikë turistët. Në rast se do të ketë problematika më të theksuara, sigurisht që është në funksion edhe urgjenca e spitalit rajonal”, tha Drita Hine, drejtoreshë e qendrës shëndetësore Gjirokastër.

Ambienti është përcaktuar në qendrën shëndetësore të lagjes Dunavat, dhe do të jetë në funksion  24 orë duke nisur nga 1 qershori deri në 30 shtator. Stafi i kësaj qendre do të përbëhet nga mjekë dhe infermierë që nuk janë pjesë e strukturave të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër.

“Kemi marrë masat me të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Presim këtë javë të na vijnë mjekët dhe infermierët mbështetës të shëndetësisë, ku do të vëmë menjëherë në funksion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për t’i paraqitur turistëve, jo vetëm të Gjirokastrës, por të gjithë rajonit për një shëndet më të mirë”, tha Edi Sinojmeri, drejtor i NJVKSH.

Vendosja e kësaj qendre në këtë zonë të qytetit, u pa e arsyeshme  për shkak të afërsisë me kalanë, por edhe me pazarin karakteristik  ku dhe prezenca e vizitorëve është më e madhe.

Gazetare: Y.Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›