Spiropali në Janinë: Brenda 2025 mbyllim gjithë grupkapitujt e negociatave, Shqipëria shembull për stabilitetin në rajon

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka deklaruar se procesi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është proces i bazuar në merita dhe se sipas saj, brenda këtij viti, vendi ynë do të çelë të gjithë grupkapitujt e negociatave.
Në fjalën e mbajtur në Konferencën e 19-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Iniciativës Adriatiko-Joniane, që zhvillohet në Janinë, Greqi, Spiropali u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë është i vetmi proces i cili bën bashkë politikën shqiptare.
Sipas saj, të gjithë parlamentarët mendojnë njësoj sa i përket të ardhmes evropiane dhe se procesi i anëtarësimit gëzon mbështetje të fuqishme.
“Anëtarësimi në BE gëzon mbështetje të fuqishme popullore. Sondazhet tregojnë se 95% e popullsisë në Shqipëri mbështet anëtarësimi dhe kjo e bën Shqipërinë vendin më pro BE në Evropë
Anëtarësimi në BE ka mbështetje të plotë dhe konsensuale në Kuvendin e Shqipërisë. Ka raste kur parlamentarët shqiptarë mund të mos bien dakord për orën e motin, por për të ardhmen evropiane, të gjitha partitë politike e deputetët do jenë në një mendje. Ne e kemi të qartë se anëtarësimi nuk është dhuratë, por jemi të vetëdijshëm që është proces i bazuar në merita e dhe po punojmë për gjithë kapitujt e kriteret që të garantojmë mirëqenie e demokratizim, sundimin e ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e një sistemi drejtësie të pavarur.
Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në 2014 dhe në 2022 filloi mbajtjen e konferencave ndërqeveritare me BE për çeljen zyrtare të negociatave.
Janë zhvilluar 5 konferenca ndërqeveritare. Shqipëria synon që brenda 2025 të çelë negociatat për gjithë kapitujt.
Shqipëria do vijojë të nxisë bashkëpunimin rajonal për t’i sjellë më pranë vendet e popujt tonë”, deklaroi Spiropali.
Shqipëria çeli ditën e djeshme grupkapitullin tretë që përbëhet nga sektori i Konkurrueshmërisë dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Hapja e këtij grupkapitulli, çon në 6 grupkapitujt për të cilat nisin bisedimet për negociatat me BE-në.
/rtsh.al/