Shqipëria në 2026 epiqendër e noterisë botërore, Manja: Vlerësim i drejtpërdrejtë për reformën në drejtësi

Shqipëria do të jetë epiqendra e noterisë botërore në vitin 2026. Kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili ka bërë me dije se Tirana do të mikpresë Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Botëror të Noterëve në muajin tetor të vitit të ardhshëm, ku pjesëmarrës nga 92 shtete të botës do të vijnë në Shqipëri.
Ministri shprehet se mbajtja e kësaj Asambleje në vendin tonë, jo vetëm që është një vlerësim i drejtpërdrejtë për reformën në drejtësi, por gjithashtu një hap i madh në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare e dëshmi e rolit të Shqipërisë në mbrojtje të sundimit të ligjit.
“Një tjetër moment historik për drejtësinë shqiptare: Tirana do të mirëpresë Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Botëror të Noterëve (UINL) në tetor 2026, me pjesëmarrës nga 92 shtete të botës!
Për herë të parë, vendi ynë bëhet mikpritës i një ngjarjeje të këtij niveli në fushën e noterisë, duke e kthyer Shqipërinë në një qendër globale të diskutimeve për të ardhmen e këtij profesioni në epokën digjitale.
Ky është një vlerësim i drejtëpërdrejtë për reformën në drejtësi dhe për përkushtimin tonë për një noteri moderne, transparente dhe të sigurt, gjithmonë në shërbim të qytetarëve.
🔹 Një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar Shqipërinë.
🔹 Një hap i madh përpara në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare.
🔹 Një dëshmi e rolit tonë aktiv në mbrojtje të sundimit të ligjit. Shqipëria po ngjitet aty ku i takon – në hartën botërore të drejtësisë”, shkruan Manja në rrjetin social Facebook.