Gjirokastra në errësirë, kufizime në gjithë vendin
Kufizimet e energjisë elektrike vijnë jo vetëm për shkak të defekteve por kryesisht, sipas KESH, janë remontet ato që pritet të na lënë pa drita
Rrethi i Gjirokastrës dhe disa qytete në Jug të vendit kanë ndjerë mungesën e energjisë elektrike, për shkak të një defekti të rëndë në sistemin e transmetimit. Burime zyrtare nga nënstacioni elektrik, bëjnë të ditur se shkak i mungesës së energjisë elektrike është një defekt i rëndë që është regjistruar rreth orës 00:24 të ditës së sotme.
“Defekti është shkaktuar nga mbingarkesa e linjës kombëtare të transmetimit të energjisë elektrike, për shkak të erës së fortë që ka mbizotëruar mbrëmjen e ditës së djeshme në agim të ditës së hënë”,- pohuan burimet zyrtare nga nënstacioni elektrik, duke nënvizuar se aktualisht, specialistët e filialit të KESH-it po punojnë për të normalizuar situatën.
Shkaqet e kufizimeve
Kufizimet e energjisë elektrike vijnë jo vetëm për shkak të defekteve por kryesisht, sipas KESH, janë remontet ato që pritet të na lënë pa drita. Shkak për këto kufizime, zyrtarisht pranohet që të jenë remontet e energjisë elektrike, por një strategji e tillë tashmë është e pranishme sa herë që në vend nuk ka mundësi që të ketë një plotësim të kërkesës së lartë. Mungesa e sistemeve të ftohjes dhe përdorimi individual i kondicionerëve është një faktor shtesë për konsumin e lartë. Ndërprerjet orar dhe pa orar të gjithë muajit korrik kanë shkaktuar shqetësim për qytetarët, të cilët në këto orare janë edhe pa ujë. Sistemi i pompave kushtëzon këtë sjellje, thuajse për të gjithë ata që nuk kanë një depozitë në katet e sipërme. Të pakta janë ato qytete apo banesa që mund të marrin ujë 24 orë dhe me presion për t’u ngjitur edhe në katet e sipërme. Por më shumë se kaq, të gjithë janë të shqetësuar për fatin e mëtejshëm të kufizimeve të energjisë. Gjatë këtyre viteve, fillimet e kufizimeve janë shoqëruar ngaherë me një situatë të tillë. Kjo është ajo që ka ndodhur, por duke i besuar të dhënave të KESH për kontratat e importit dhe prodhimit vendës, viti 2008 duket se nuk do të jetë një histori tjetër errësire. Por tashmë duhet të jemi të kënaqur edhe me pak kufizime, sipas KESH, pasi drita 24 orë, vështirë se mund të gjenden. Sipas të dhënave zyrtare nga ana e KESH , gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, oferta e energjisë elektrike është rritur me rreth 12% në bazë vjetore. Sasitë e larta të reshjeve kanë ndikuar në përmirësimin e situatës energjetike në vend. Gjatë kësaj periudhe është vënë re një rritje e prodhimit vendas dhe një rënie e sasisë së energjisë së importuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Konsumi i energjisë elektrike nga familjet dhe bizneset, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ishte rreth 13% më i lartë se ai i të njëjtës periudhë të një viti më parë. Familjet vazhdojnë të konsumojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike, ose rreth 41%, ndërkohë që pesha e konsumit të bizneseve, në tremujorin e parë të këtij viti, ishte rreth 24%. Humbjet kanë vijuar të regjistrojnë rënie gjatë kësaj periudhe, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndonëse rënia është më e vogël sesa ndryshimi vjetor gjatë vitit 2007.