E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i Tregtisë Botërore, bisedimet ende pa marrëveshje

Negociatat lidhur me një marrëveshje për të liberalizuar Tregtinë Botërore hyjnë sot në ditën e tyre të nëntë pasi diskutimet të hënën nuk arritën të zgjidhnin një përplasje që ngre dyshime serioze për marrëveshjen.

Një zëdhënës për Organizatën Botërore të Tregtisë tha se bisedimet në Gjenevë kishin arritur një etapë shumë të tensionuar dhe të pasigurt.

SHBA-ja e ka akuzuar Kinën dhe Indinë se po këmbëngulin për më shumë përkrahje për fermerët dhe industritë në vendet në zhvillim. Por, India e hedh këtë poshtë.

Ministrja indoneziane për Tregtinë, Marie Pangestu ka bërë me dije për BBC-në se vendi i saj nuk ishte i kënaqur me atë që ishte ofruar:

"Quhet raundi për zhvillimin, por atje nuk ka ekuilibër. Pjesë të tij nuk janë fare raund zhvillimi. Ne ndjejmë se ka një ç'ekuilibër dhe mendojmë se duhet të ketë një farë nivel kompromisi."

Nëntë vende evropiane të udhëhequra nga Franca po kërkojnë akses më të madh në tregjet e reja.

Megjithë problemet, negociatorët rivalë thonë se janë të vendosur në përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

Korrespondentët thonë se nëse këtë javë nuk arrihet marrëveshje, nuk ka gjasa të bëhet përparim deri pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›