Më kërkojnë Reali e Barcelona

Ylli i Santosit, Neymar tregon se Barcelona e Real Madridi kanë shprehur interesim për shërbimet e tij. Dyshja nga La Liga provuan që ta transferonin 19 vjeçarin gjatë verës, por duket se gjithçka është shtyrë për vitin tjetër.
Neymar ka konfirmuar se klubet e lartpërmendura e duan, por nënvizoi se nuk ka arritur marrëveshje me asnjërin ekip.
“Real Madridi e Barcelona më kanë ftuar. Të dyja klubet më duan, mund të konfirmoj këtë, por unë nuk kam arritur marrëveshje me asnjërin ekip”, deklaroi Neymar për të përditshmen spanjolle, AS, pas fitores së Brazilit ndaj Ganës, në miqësoren që u zhvillua të hënën mbrëma në Londër (1:0).
“Interesimi nga dy gjigantët spanjollë më motivon dhe më bën të ndihem mirë, kur dihet se çfarë klube të mëdhenj janë”, vazhdoi ai.
Mediat spanjolle shkruajnë se Neymar mund t’i bashkohet Real Madridit ose Barcelonës në janar, pasi të zhvillohet Botërori i klubeve, ku përfaqësuesi brazilian dëshiron të luajë gjithsesi për Santosin. Ky i fundit kërkon rreth 40 milionë euro për talentin e ri brazilian.