E Shtunë, 31 Tetor 2026

25 vjetori i Dodonës

Shtatori i këtij viti do të shënojë 25 vjetorin e veprimtarisë së teatrit “Dodona”. Kjo datë do të festohet me themelimin e festivalit të teatrit të kukullave, me pjesëmarrjen e disa trupave. Nga Albana S. Muja më 06 shtator 2011 në ora 15:30

25 vite më herët filloi të funksionojë si teatër, dikur i njohur si teatri i fëmijëve dhe kukullave “Dodona”, e më vonë përveç teatrit të kukullave filloi të veprojë edhe me skenën alternative për të rritur. Këtë shtator ‘Dodona’ do të festojë ditëlindjen e 25-të të veprimtarisë së tij si teatër.

Ndërsa, prej datës 21 deri më 24 shtator do të organizohet një festival i teatrove të kukullave, në të cilin do të marrin pjesë trupat e teatrove të kukullave nga regjioni dhe do të jetë i karakterit mbarëkombëtar.

Drejtori i Teatrit “Dodona”, Agim Selimi, njoftoi që ky festival është organizuar për nder të 25 vjetorit të Dodonës. Festivali do të bëhet tradicional, natyrisht duke e parë nevojën për një festival të tillë, i cili në të ardhmen mendohet të jetë festival rajonal i teatrit të kukullave.

“Në festival do të marrin pjesë disa trupa, në mesin e tyre do të jetë ajo e Tiranës, Pogradecit, Korçës, Beratit, Vlorës, Durrësit dhe Prishtinës, ndërkohë që shfaqjet do të jepen në dy termine”, tha Selimi.

Selimi shtoi që ne do të paraqitemi me shfaqjen fituese të festivalit të Pogradecit, “Elefanti i vogël kureshtar”, e cila është shpërblyer si shfaqja më e mirë në këtë festival.
“Ky është edicioni i parë i festivalit të teatrove të kukullave dhe këtë herë nuk do të ketë karakter garues. Mendohet që pjesëmarrësit të nderohen vetëm me mirënjohje, ndërsa viteve tjera festivali do të ndaj edhe çmime”, thotë Selimi.

Për më të vegjlit, ndonëse festivali synon të mbledh edhe shikues të rritur, shfaqjet do të jepen në dy termine, në atë gjatë orëve të paradites dhe në orën 18:00.

Drejtori i Dodonës, shpreson që ky festival do të sjellë shikues, fëmijë e edhe të rritur, ndonëse sipas tij, publiku më i rregullt i Dodonës janë fëmijët. “Mirëpo me pak reklamë dhe me një sensibilizim të vogël mendoj që do të ketë publik të mjaftueshëm, sepse nuk ka pasur festival të tillë dhe shpresoj që do të ketë interesim, pse jo të shohin edhe produksione jashtë teatrit Dodona”, theksoi Selimi.

Gjatë periudhës së verës Dodona ishte në renovim, ndërsa Selimi njoftoi që renovimet kanë përfunduar, ndërkohë që puna në teatër ka filluar të shtunën e parë të shtatorit me shfaqjen “ Kësulëkuqja”, ndërsa po këtë muaj fillon teatri i kukullave, ndërkohë që në tetor teatri do të sjellë studentët, atëherë do të fillojë edhe skena e mbrëmjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›