Gjithçka per imunitetin

Partia Demokratike është e vendosur për të bashkëpunuar me Partisë Socialiste për kufizimin e imunitetit, pavarësisht nga propozimet që do të bëhen. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, thotë se e sheh pozitivisht deklaratën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për përfshirjen e çështjes së kufizimit të imunitetit në diskutimet për reformën në drejtësi. “Unë po e marr në rrafshin pozitiv atë prononcim, pasi nuk besoj dhe kam prirje të mos besoj se është një përpjekje për qëllime të tjera. Besoj se është një vullnet i mirë, i cili do të mund të realizohet nga ana e kryetarit të opozitës. Nuk dua të besoj të kundërtën”, deklaron Patozi për “Korrierin”. Ai thotë se nuk beson që pas deklaratës së Ramës, të qëndrojë ndonjë qëllim për të penguar apo vonuar çështjen e kufizimit të imunitetit. Megjithatë, pavarësisht propozimeve për ta bërë ndryshim kushtetues apo jo kufizimin e imunitetit, sipas Patozit, është më e rëndësishme që të arrihet rezultati i kërkuar nga të dyja forcat politike. “Ne jemi të prirur që të ecim, në mënyrë që të avancojmë edhe me reformën zgjedhore, edhe me reformën në drejtësi. Ne nuk jemi kundër në parim. Për ne është e rëndësishme që nisma për kufizimin e imunitetit të materializohet, pasi tashmë është shprehur edhe vullneti politik i të dyja palëve. Duhet të materializohet sa më shpejt që të jetë i mundur”, thekson kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Në lidhje me ndryshimin ose jo të nenit kushtetues për imunitetin, Patozi thotë se “ne jemi të hapur edhe për ndryshime në Kushtetutë”, por duhet vetëm që të ketë konsensus mes palëve. “Jemi të hapur edhe për ndryshimin në Kushtetutë. Nuk na trembet syri për këtë çështje. Por duhet që kjo të bëhet me konsensus nga palët”, përfundon Patozi. Ndërkohë, edhe republikani Godo ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e Ramës për përfshirjen e çështjes së imunitetit me reformën në drejtësi. Sipas Godos, “pati një tërheqje nga ana e Ramës lidhur me këtë akord, derisa ai e pozicionoi këtë me bërjen e reformës në drejtësi në tërësi”. Gjatë deklaratës së tij, Godo shprehu shqetësimin për ndërhyrje të shpeshta në Kushtetutë, duke iu referuar edhe deklaratës së kreut të Partisë Socialiste. Dy ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste deklaroi se partia që ai drejton është e gatshme që të diskutojë për çështjen e kufizimit të imunitetit, ndërsa propozoi që diskutimi për çështjen e imunitetit të përfshihej bashkë me propozimet e Partisë Socialiste për Paktin Kombëtar për Drejtësinë. Kreu i PS-së, Rama, e bëri këtë propozim, duke argumentuar se në këtë mënyrë do të shmangeshin ndërhyrjet e shpeshta dhe të veçuara në Kushtetutë.