E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjithçka për mbrojtjen e mjedisit, të mbyllim plagët e babëzisë së betonit”

23-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha inauguron impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës: “Muret donkishoteske do marrin ndëshkimin me votë, nuk do të ndalet përpjekja jonë për integrimin në BE”

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, një investim me vlerë 11 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe qeveria e Luksemburgut. Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Durrësit ishte pjesë e masave të zbatuara nga “Projekti i Menaxhimit të Ekosistemeve të Ujit të Integruar në Shqipëri”. Impianti, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 65 hektarë, ka teknologji të një shkalle të avancuar që bëjnë të mundur pastrimin e ujit deri në nivelin 97 për qind dhe mundëson edhe përfitimin e biogazit, i cili do të mbulojë nevojat e impiantit për energji elektrike deri në masën 30 për qind. Me ndërtimin e tij vija bregdetare e Durrësit pastrohet në mënyrë përfundimtare nga ujërat e zeza.
Durrësi është një ndër qytetet kryesore turistike të vendit, ka një popullsi prej 205.000 banorë dhe në periudhën e sezonit turistik arrin shifrën prej 600.000 banorë.
Kryeministri Berisha vlerësoi se me këtë impiant Durrësi do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë, si dhe do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet turistike. “Ne inaugurojmë impiantin e ujërave të zeza të qytetit të Durrësit në zbatim të një politike të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Qeveria shqiptare e konsideron mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit si një kusht vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, një kusht vendimtar për mbrojtjen e shëndetit për qytetarët shqiptarë. Shqipëria ka një politikë mbrojtëse mjedisore të vendosur në standardet ndërkombëtare. Jashtë çdo standardi, deri një vit më parë, ishte ajri mbytës i kryeqytetit dhe, natyrisht, ndotja në raste të caktuara e ujërave të plazhit të Durrësit. Ndotja e ajrit të kryeqytetit tejkalonte dy herë çdo standard tjetër në kontinentin evropian. Po kështu ujërat e zeza, në mënyrë të përsëritur, ndotnin jashtë çdo lloj standardi ujërat e kaltra të detit. Durrësi me këtë impiant do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë”, u shpreh kryeministri.
Berisha vlerësoi se Durrësi me këtë impiant do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet e tij të mëdha turistike. “Çdo shqiptar, çdo turist do ketë dëshirë t’i kalojë pushimet e tij në qytetin e pasurive përrallore kulturore shekullore, në qytetin e ujërave më të pastra, në qytetin e mikpritjes më të madhe. Por një përgjigje të merituar sot ka marrë edhe ndotja e ajrit në Tiranë. Për herë të parë pas shumë vitesh, aparaturat e vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetit në qendër të qytetit dhe në pika të tjera faktojnë se ajri në Tiranë është në standardet e pranuara evropiane”, theksoi kryeministri.
Ai u zotua për angazhimin e plotë të qeverisë në mbrojtjen e mjedisit, për të mbyllur, siç tha Berisha, plagët e babëzisë së betonit. “Atij që bërtet çdo ditë për guroret e Krujës i them nga këtu: ato vërtetë janë të shëmtuara, por ato i krijove ti me klanin e betonit tënd në Tiranë. Edhe jo vetëm ato, por dua të rikujtoj këtu furrat e tmerrshme të gëlqeres, të cilat shpërndanin mbi Krujë dhe Tiranë blozën kancerogjene në mushkëritë e çdo qytetari. Ato nuk janë më. Ne do të bëjmë gjithçka që edhe ato plagë që janë hapur nga babëzia ti mbyllim, ti shërojmë. Politika jonë ndaj mjedisit është politika më serioze, është politika në të cilën ne i besojmë parimit-mjedisi është jeta! Mbrojta e tij është e barasvlershme me mbrojtjen e jetës”, tha Berisha.
Kreu i ekzekutivit solli në vëmendje investimet e qeverisë në ngritjen e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza nga viti 2005. “Sot Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh në këtë drejtim. Së shpejti inaugurojmë po si ky impiant për Lezhën, për Vlorën, për Sarandën, për Korçën dhe kështu me radhë. Ne jemi të vendosur të shndërrojmë brigjet e deteve dhe liqeve tanë në brigjet më të pastra në Ballkan dhe në Evropë. Ky është zotimi ynë para qytetarëve shqiptarë. Ky është angazhimi ynë për mbrojtjen e shëndetit të tyre, për parandalimin e sëmundjeve për ta edhe për miliona e miliona turistë e vizitorë që vijnë çdo vit për pushime në Shqipëri”, deklaroi kryeministri.

Katër vitet e ardhshme, vendimtare për Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane
Nga Durrësi kryeministri Sali Berisha deklaroi sërish se katër vitet e ardhshme mbeten vendimtare për realizimin e projektit të Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane.
Kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit. “Katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane. Ne do të bëjmë gjithçka që votën dhe besimin tuaj ta shndërrojmë në zhvillim, ta shndërrojmë për realizmin në Shqipëri të standardeve të një vendi të zhvilluar. Ne do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë të gëzoni atributet e qytetarëve të një vendi të zhvilluar. Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë evropiane. Shqipëria evropiane ka qenë dhe mbetet vokacioni i këtij kombi, vokacion për të cilin shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë për t’i qëndruar besnik atij. Ecja në këtë drejtim ka qenë e pandalshme”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se mazhoranca bëri të gjitha përpjekjet për marrjen e statusit të vendit kandidat, por opozita e bllokoi atë duke mos miratuar 3 ligjet e Komisionit Europian. Bllokatorët, tha kryeministri, marrin përgjigjen përfundimtare në 23 qershor. “Me përpjekje dhe reforma u realizua firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit; me përpjekje dhe reforma u realizua pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian; me përpjekje dhe reforma në këtë rrugë u realizua liberalizimi i vizave; me përpjekje dhe reforma në këtë rrugë Komisioni Evropian, tetorin që kaloi, rekomandoi Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat, me kushtin që të votoheshin 3 ligjet. Ai që i bllokoi ligjet dhe bllokoi statusin, ai merr përgjigjen më të merituar dhe del në atë anë të historisë që i takon atyre që i ngrenë vendit dhe popullit të tyre mure donkishoteske përpara. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë serioze për të marrë statusin, për të hapur negociatat, për të ecur në mënyrë të pandërprerë drejt Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë evropiane”, garantoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›