Berisha dhe Basha mbjellin pemë dafine në Tiranë

Dita ndërkombëtare e Tokës/ Bashkia, projekt për rivalitizimin e Tiranës, qyteti do të jetë më i shëndetshëm
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Kryeministri Sali Berisha kanë përzgjedhur bllokun e banimit 61/1, në njësinë bashkiake nr. 4, për të mbjellë një pemë në mënyrë simbolike. Me një investim prej 18.6 milionë lekësh, ky bllok banimi iu nënshtrua rikualifikimit urban nga Bashkia e Tiranës, duke sjellë një standard të ri për banorët e kësaj zone.
Kjo hapësirë publike, e lënë në harresë për vite me radhë ka tashmë pamjen e një kompleksi që përfshin gjelbërimin me dafina dhe bli, fushë sporti, kënde lojërash për fëmijë dhe një kabinë info-point.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën e deritanishme të Bashkisë së Tiranës, për përmirësimin e mjedisit dhe të ajrit në kryeqytet. “Një nga arritjet më të mëdha të këtyre viteve, u shpreh Kryeministri, ka qenë rënia e ndotjes së ajrit në sheshin ‘Skënderbej’ dhe në zona të tjera të kryeqytetit. Me mbjelljen e vazhdueshme të pemëve, dhe unë di që Bashkia ka një projekt të shkëlqyer për rivitalizimin e Tiranës, rigjelbërimin e saj, një projekt që po ecën me shpejtësi në këtë drejtim, ka një projekt të ndërtimit të terreneve sportive, Tirana do të bëhet shumë më e shëndetshme, shumë më njerëzore, se qyteti që dorëzoi njeriu që firmosi sot epitafin e rilindjes së tij”, theksoi kryeministri Sali Berisha.