Gjithmonë azilantë!

Thirrjet e autoriteteve vendore se vendet e Bashkimit Evropian nuk pranojnë më refugjatë nga Kosova, nuk po u bëjnë përshtypje shumë të rinjve kosovarë. Të lodhur nga varfëria me një papunësi deri në 45 për qind, mijëra qytetarë për çdo vit po ia mësyjnë Evropës, duke përdorur rrugë të ndryshme ilegale, me shpresë se do të gjejnë më shumë perspektivë jashtë kufijve të vendit. Shumica prej azilkërkuesve në BE, janë të moshave të reja (18-35).
Të dhënat që ka siguruar “Zëri” nga Brukseli tregojnë se mbi 11 mijë kosovarë kanë shkuar në Evropë gjatë vitit 2012, pa llogaritur edhe ata që shkojnë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, e vende tjera. Këto të dhënat po ashtu tregojnë se prej këtyre 11 mijë azilkërkuesve, shtetet evropiane 7 mijë prej tyre i kanë refuzuar, 1 mijë u kanë dhënë leje qëndrimi të përkohshëm, ndërsa rreth 3 mijë të tjera janë ende në shqyrtim.
Përveçse shumica përfundojnë të zhgënjyer duke iu refuzuar statusi i azilit, ka edhe më keq që përfundojnë nëpër burgje, siç është rasti i fundit me Hungarinë, ku është bërë e ditur se rreth 1000 emigrantë kosovarë janë në burgjet e këtij shteti.
As refuzimet, as burgjet nuk po e ndalin hovin e emigrimit, si pasojë e së cilës edhe 14vjet pas luftës, Kosova vazhdon të mbetet në dhjetëshen e parë të vendeve që kërkojnë azil në Evropë. Në ranglistë me Kosovën qëndrojnë edhe Somalia, Gjeorgjia, Irani e Iraku.
Të dhënat nga Brukseli tregojnë se fluksi më i madh i migrantëve nga Kosova vërehet muajt e fundi të vitit 2012. Atë kohë, Prishtina zyrtare u krenua se ka arritur të ulë numrin e azilkërkuesve. Nëse e krahasojmë numrin e azilkërkuesve kosovarë në shtetet e Evropës në vitin 2010, me afërsisht 14 mijë azilkërkues, vitin 2011 numri i tyre vërtet kishte rënë, në rreth 9800 azilkërkues. /Indeksonline/