E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje fushatën e nisë me paga!

Ideja e Lëvizjes Vetëvendosje për uljen e pagave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës shihet më shumë si një frazeologji dhe marketing politik, se sa një propozim serioz i kësaj partie. Pikërisht janë ligjvënësit kosovarë ata që kanë drejtuar gishtin kah Vetëvendosje se nuk i është bashkuar aksioneve humanitare, sikurse atij që ka qenë për ndërtimin e Mitrovicës, shkruan Zëri.

Partia opozitare që udhëhiqet nga Albin Kurti ka kohë që ka vlerësuar se krahas gjendjes aktuale ekonomike në Kosovë, deputetët e Kuvendit nuk e meritojnë pagën më të madhe se 750 euro.

Deputeti Liburn Aliu nga partia opozitare Vetëvendosje, ka shfaqur mendimin se krahas luksit të qeveritarëve kemi edhe pjesë të shoqërisë që jeton në varfëri ekstreme.“I domosdoshëm ndryshimi. Kur në të njëjtën ndërtesë ku jemi, të Kuvendit , dallimi në mes të të ardhurave mujore është 12 herë, kjo vetë e tregon zgjidhjen. Nëse në këtë ndërtesë një shërbyese pastrimi merr 160 euro neto dhe një deputet arrin deri në 2 mijë euro e shpesh edhe e tejkalon.

Unë po flas për këtë institucion ku jemi dhe pabarazi të tilla në rroga janë kudo. Ky fakt në vetvete e jep zgjidhjen e problemit. Luftimi i varfërisë ekstreme duhet të jetë njëri nga prioritetet e këtij vendi dhe ai është i mundshëm, nëse raporti i rrogës më të lartë dhe asaj mesatare nuk e tejkalon 1 me 3”, ka thënë ai.

Mirëpo, deputetët e Kuvendit të Kosovës këtë propozim të Vetëvendosjes për uljen e pagave të deputetëve e shohin më shumë si frazeologji dhe marketing politik, sidomos në kohën kur Kosova veçse ka hyrë në ethet e zgjedhjeve lokale, se sa një çështje për të cilën brengoset ky subjekt politik. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›