E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët: Na ndalë veç Hashimi dhe Borchardt

Mungesa e ushqimit për gjashtë ditë me rend nuk i ka lodhur aspak. Fizikisht duken mirë dhe në gjendje të debatojnë për dy orë rresht pa ndalë. Edhe pse me grevën e tyre gjashtë ditëshe nuk kanë bërë askënd të reflektojë, ata s’e kanë ndërmend të ndalen.

Dhe askush nuk e ka atë fuqi t’i ndalë.

Të vetmit që mund t’i zmbrapsin në qëllimin e tyre janë garancitë e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit dhe shefit të EULEX’it Bernd Borchardt që të ndalet kjo formë e arrestimeve të komandantëve.

Saktësisht, qëllimi i tyre është që të ndalet fenomeni i prokurorit Salustro dhe forma e arrestimeve të njerëzve të luftës së UÇK’së pa fakte dhe me dëshmitar të rremë.

Blerim Muriqi, Xhemë Gjura, Murat Bajrami dhe Ibrahim Kelmendi, po hynë në ditën e shtatë të grevës për shkak të arrestimeve të komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga misioni europian për rend dhe ligj - EULEX.

“Dikush duhet të dalë dhe të tregojë se kjo është e pa drejtë dhe janë duke e kriminalizuar një luftë dhe popull të tërë”, tha Blerim Muriqi. Nuk janë aty për të amnistuar krimet e luftës, dhe thonë se as që duan të flasin për to, por janë për t`u bërë drejtësia ashtu siç bëhet në gjithë botën – më fakte dhe dëshmi të besueshme”, thotë për Express Blerim Muriqi.

Ai beson se shumë shpejt dikush do të reagojë dhe reflektojë për këtë gjendje të rëndë të drejtësisë. Muriqi u mundua të shpjegojë se Salustro në asnjë proces gjyqësor deri më tash nuk ka dhënë asnjë argument për krime luftë dhe nuk ka asnjë fitore në proceset që i ka nisur, transmeton Express.

“Salustro ka dështuar në të gjitha proceset gjyqësore dhe deri më tash s`ka asnjë fakt për asnjë proces gjyqësor”.

Me këta dëshmitarë të rremë dhe fakte të rreme, sipas grevistëve, ngjallen procese të këqija në Kosovë që s’i shërbejnë drejtësisë, e as vendit.

Askush nga institucionet nuk i ka vizituar deri më tash. Kanë pasur një vizitë nga drejtuesit e shoqatave të Luftës të cilët u kanë bërë ftesë që të ndalin grevën e t’u bashkohen veprimeve të tyre, por e kanë refuzuar apriori.

Dje, i ka vizituar edhe guraja e Sylejman Selimi – Sulltanit. Ajo, në emër të Selimit, ka kërkuar nga ta që të ndalojnë grevën.

“Ne nuk jemi në ushtri dhe luftë tash që të marrim komandime, por duam që të shprehim shqetësimin tonë për këto arrestime të pa drejta pavarësisht se kush janë ata”.

Tregojnë se aktualisht edhe po përballen me presioni e njerëzve që t`u bashkohen në grevë.

“Si katër, si katërdhjetë, si katërqind njëjtë. Ne duam që të transmetohet mesazhi ynë dhe të tregohet pa drejtësia që po bëhet ndaj EULEX`it”.

Reaguan edhe kundër disa shkrimeve të disa medieve. Thanë, që ka qenë për keqardhje publikimi i një shkrimi në media se ata janë duke ngrënë dhe pirë gjatë grevës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›