E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat dhe falimenti, ja rregullat e reja

Ministri i Financave nxjerr udhëzimin për rregullat dhe procedurat e reja që do ndiqen ndaj biznesit  

Pas miratimit të ligjit “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ministri i Financave ka nxjerrë udhëzimin mbi bazën e të cilit do të ndiqen rregullat dhe procedurat e reja për administrimin e detyrimeve tatimore. Në këtë udhëzim janë parashikuar ndryshime ligjore dhe administrative përsa i përket procedurave të falimentit, mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe përgjegjësive të ortakut, aksionerit dhe administratorit. Udhëzimi, si dhe ligji përkatës janë kundërshtuar nga ana e biznesit dhe vlerësohen si metoda represive për mbledhjen e detyrimeve. Në debatin me sipërmarrjen gjatë miratimit të ligjit, mbi bazën e të cilit ka dalë edhe ky udhëzim, qeveria nuk mori parasysh asnjë nga kërkesat e grupeve të interesit.

Përgjegjësia e ortakut, aksionerit dhe administratorit

Sipas udhëzimit të ri përcaktohet se në rastin e personave juridikë, kur pas shitjes së pasurive të personit tatimpagues debitor, Administrata Tatimore nuk ka arritur ta mbledhë detyrimin tatimor të papaguar kundrejt saj, ajo e transferon detyrimin tatimor te personi juridik tek ortakët, aksionerët dhe tek administratorët e biznesit. Si të tillë, sipas këtij udhëzimi do të konsiderohen vetëm ata persona që figurojnë me cilësitë e mësipërme në Regjistrin Tregtar apo në regjistrat e tjerë ku personi juridik është i regjistruar, mbas datës se daljes së njoftimit të detyrimit tatimor për tatimpaguesin. Ky është një ndryshim i ri në ligj, që mbetet disi i dyshimtë për zbatimin sidomos në rastin e aksionerëve të një kompanie. Sipas udhëzimit, kalimi i detyrimit tatimor ortakëve, administratorit apo aksionarëve, administrata do t’i konsiderojë ata si debitorë solidarë. Kjo do të thotë, sipas Ministrisë së Financave, që të gjithë janë përgjegjës për përmbushjen e detyrimit tatimor të papaguar, por në çdo rast, kjo përgjegjësi individuale do të jetë e njëjte me pjesën që ortaku apo aksioneri zotëron në kapitalin themeltar të shoqërisë. Në ato raste kur debitor është edhe administratori i shoqërisë, administrata tatimore duhet të kontrolloje nëse administratori i shoqërisë, është ortak apo aksioner në kapitalin themeltar të shoqërisë. Në ato raste kur administratori është ortak apo aksioner në kapitalin themeltar të shoqërisë, përgjegjësia e tij është e njëjtë me atë të ortakëve apo aksionerëve të tjerë të shoqërisë. Në rastin kur administratori nuk ka cilësinë e ortakut, Administrata Tatimore duhet ta trajtoje atë si debitor solidar, bashkë me ortakët apo administratorët e tjerë të shoqërisë. Ndaj këtyre personave, Administrata Tatimore mund të ndjekë edhe mbledhjen e detyrimeve me forcë. “Në çdo rast, edhe kundrejt personave që kanë cilësinë ortakut, aksionerit apo të administratorëve të personit juridik, detyrimi tatimor i të cilit nuk është paguar, janë të vlefshme për të arkëtuar detyrimin, të gjitha veprimet e parashikuara nga nenet 88 e vijues të Ligjit “Për procedurat tatimore”, çka nënkupton që Administrata Tatimore në momentin e transferimit të këtij detyrimi, i konsideron ata si tatimpagues, detyrimi i të cilëve nuk është arkëtuar dhe ndaj tyre do të fillojë me forcë mbledhjen e detyrimeve tatimore”, sqaron udhëzimi. Në këtë udhëzim nuk bëhet e qartë se për të shpallur si debitorë ortakët dhe aksionerët e shoqërisë, vendimi duhet që të merret nga gjykata.

Procedurat e falimentimit

Bizneset, pas futjes në fuqi të këtij udhëzimi, kanë një procedurë të re falimentimi e cila parashikon edhe kushtet përkatëse. Kështu, një biznes futet në një procedurë falimentimi kur kanë kaluar mbi 2 vjet të regjistruar me status pasivi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, datë e cila fillon të llogaritet nga e nesërmja e datës së regjistrimit të këtij statusi. Sipërmarrja futet në një procedurë të detyruar falimentimi edhe kur tatimi i tij është deklaruar si i pambledhshëm nga ana e Administratës Tatimore. Në të njëjtin proces përfshihen edhe të gjithë bizneset veprimtaria e të cilëve ka rezultuar me humbje për të paktën tre vite të njëpasnjëshme, ose që nuk kanë kryer veprimtari tregtare për një periudhe kohore për të paktën 2 vite të njëpasnjëshme, duke filluar nga dita e nesërme e hyrjes në fuqi të Ligjit “Për procedurat tatimore”. Edhe sipërmarrjet që kanë detyrime tatimore të papaguara për të paktën një periudhe kohore 2-vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të përfshihen në një proces falimentimi.

Gjobat e reja

Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore e penalizon sipërmarrjen me gjoba të rënda, sipas udhëzimit dhe ligjit të ri për procedurat tatimore. Kështu, një biznes i cili nuk paguan brenda afatit të parashikuar shumën e detyrimit tatimor a të kontributit të Sigurimeve Shoqërore, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj apo pjesë të muajit gjatë gjithë kohës së vonesës deri në momentin e pagimit të tatimit. Në asnjë rast kjo gjobë, në total, nuk duhet të jetë më e vogël se 10.000 lekë dhe më e madhe se 25% e detyrimit të papaguar. Sipas kësaj mase, një person i tatueshëm, i cili detyrimin e tij tatimor të TVSH duhej ta paguante më 14 janar 2008 e paguan më datë 5 mars, konsiderohet se e ka paguar atë detyrim 3 muaj me vonesë dhe për këtë arsye dënohet me 15 për qind gjobë mbi shumën e detyrimit të papaguar në afat (5% x 3 muaj). Nëse i njëjti person, detyrimin e tij tatimor të datës 14 janar e paguan më 20 korrik, do të thotë se ai ka paguar detyrimin e tij me 7 muaj vonesë dhe për këtë dënohet vetëm me 25 për qind gjobë mbi shumën e detyrimit të papaguar në vend të 35% (5% x 7 muaj).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›