E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro: Duhet Shqipëria më e mirë për të mundur Suedinë

Mesfushori elbasanas po kalon një moment mjaft të mirë tek Omonia dhe tani kërkon një gol kuqezi

Mesfushori Klodian Duro është pa dyshim një nga lojtarët më në formë. Këtë e ka treguar nëpërmjet golave që ka shënuar me fanellën jeshile të Omonias. Duro duket se ka "rilindur" në Qipro, ku është duke kaluar vërtet një moment fantastik, sidomos pas kualifikimit në Kupën UEFA, ku shqiptari i shënoi dy gola AEK-ut. Dje, në orën 14:15, mesfushori mbërriti në rezidencën e kuqezinjve përsëri me një gol në "xhep", të shënuar në debutimin e tij në kampionatin qipriot. Futbollisti flet në lidhje me formën e tij, ambientin në Qipro dhe natyrisht për ndeshjen e parë të kombëtares me Suedinë.  

- Klodi, jeni kthyer në një golashënues të rregullt me Omonian. Mos ndoshta tani është radha e golit si kuqezi?

- E rëndësishme është që të jem në këtë gjendje dhe natyrisht do të ishte fantastike sikur të realizoja me Suedinë. Eshtë një kënaqësi më e veçantë të shënosh për ngjyrat e ekipi kombëtar. Ndeshja me Suedinë nuk ka nevojë për shumë komente. Luajmë në fushën tonë dhe është eliminatorja e parë, kështu që duhet ta përgatisim mirë. Ne si ekip e kemi treguar edhe më parë, që ndaj kundërshtarëve me emër në Europë, këtu futet dhe Suedia, rezultatet pozitive nuk kanë munguar. 

- Çfarë ekipi duhet të jetë në fushë për të mposhtur këtë Suedi?

- Duke luajtur përballë Suedisë, që ka një eksperiencë të mjaftueshme në arenën ndërkombëtare dhe gjithashtu ka lojtarë me emër, mendoj se për të arritur fitoren duhet Shqipëria më e mirë e këtij fillim sezoni. Natyrisht, duke shpresuar se publiku do të jetë i shumtë për të na përkrahur, po të kemi edhe pak fatin me vete, besoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta nisur mirë këtë sezon. Duke i bërë një nisje të mirë, jam i bindur që edhe vazhdimësia do të jetë në rrugën e duhur.

- Trajneri ka thënë që do një skuadër sulmuese, që të luajë pa frikë. Ju si mendoni?

- Pajtohem me thënien e trajnerit, pasi edhe vetë natyra ime si futbollist e tillë është. Sa kam që luaj, nuk është se kam ndier frikë nga ndonjë kundërshtar, pavarësisht emrit të madh që mund të ketë apo uniformës që mban veshur. 

- Megjithatë, tifozët presin fitoren, pasi ende janë me zhgënjimin e fundit të edicionit të kaluar...? 

- Duhet të jemi realistë. Shqipëria kjo është dhe kaq mundësi ka. Ka disa vite që kombëtarja është rrotulluar po te të njëjtët futbollistë, ku prurjet e reja janë me pikatore. Unë mendoj që i kemi kënaqur herë pas herë tifozët, të paktën në ndeshjet e viteve të fundit. Nuk është pak të mundësh Greqinë apo Rusinë, gjithashtu edhe Suedinë, pavarësisht se ishte një miqësore. Këtë herë duhet të bëjmë atë që kemi bërë çdo fillim edicioni. Një fitore do të ishte kënaqësia më e madhe e çdo shqiptari.

- Në kombëtare jeni aktivizuar shpesh si mesfushor i djathtë, madje edhe në ndeshjet e fundit. Eshtë ky roli ku Duro jep gjithçka?

- Pozicioni im i preferuar është të luaj si organizator, pra të jem në qendër të mesfushës. Në ekipin kombëtar gjithmonë kam luajtur me kënaqësi në të gjitha pozicionet, ku trajnerët e kanë parë të arsyeshme për të më vendosur. Kam dhënë maksimumin tim, sepse kombëtarja është gjithçka. Kush e ndien që duhet të japë për këtë fanellë, luan me shpirt në çdo pozicion. 

- Pas kalimit tek Omonia, jeni kthyer në formën më të mirë. Ç'mund të na thoni?

- Kam gati tre muaj që stërvitem dhe tani jam në kulmin e formës. Edhe fati ka qenë me mua këtë periudhë, pasi kam luajtur në Kupën UEFA dhe kam shënuar. Ndiej një kënaqësi të mëdhe që bëj pjesë te një klub si Omonia. Pas kualifikimit me AEK-un, kemi hyrë në histori, pasi është hera e parë që Omonia arrin në këtë fazë kualifikimi. Tani presim përballjen tjetër me Mançesteri Sitin, e cila normalisht do të jetë një ndeshje më e vështirë.

- Po me ambientin në Qipro jeni përshtatur?

- Ambienti është shumë i mirë. Profesioni jonë është futbollist, kështu që nëse jep atë që duhet në fushën e lojës, çdo gjë shkon mirë. Jam shumë i kënaqur, pasi shikoj që më respektojnë, jo vetëm drejtuesit e klubit, shokët e ekipit dhe tifozët, por i gjithë ambienti në Nikosia është pozitiv.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›