E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat dhe kamatëvonesat, falen 246 mln euro

 

Qeveria fal një pjesë të gjobave dhe kamatëvonesave që bizneset kanë pa paguar në vite

Qeveria do të falë kamatëvonesat dhe gjobat, tek bizneset që kanë detyrime të papaguara në vite. Një pjesë e mirë e këtij borxhi tatimor i përket bizneseve dhe kompanive që tashmë nuk janë më efektive, pasi kanë kaluar në procese falimentimi dhe likuidimi. Me anë të këtij vendimi, sipas Financave, synohet që të mblidhet detyrimi tatimor që kap një vlerë prej 10 miliardë lekë. Lehtësimi me 75 për qind e borxheve që biznesi ka ndaj Administratës Tatimore, vlerësohet si një mënyrë e mirë për të nxitur këtë kategori të sipërmarrjes që të bëjë likuidimet e detyrimeve të prapambetura.

Projekti

Sipas ministrit të Financave, Bode, vetëm në tatime, borxhi i bizneseve llogaritet në 40 miliardë lekë, nga të cilat 30 miliardë lekë janë gjobat dhe kamatëvonesat që do të falen, ndërsa pjesa tjetër prej 10 miliardë është detyrimi bazë që do të paguhet nga bizneset. Ndërsa borxhi doganor arrin deri në 7 miliardë lekë, nga të cilat do të falen rreth 5 miliardë lekë.

Akcizat e naftës

Ministri i Financave, Bode iu është përgjigjur negativisht kërkesës së importuesve të karburanteve për uljen e barrës fiskale, si një mënyrë për të frenuar rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm. Gjatë analizës gjashtëmujore për realizimin e planit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, ministri i Financave, Bode ka deklaruar se problem mbetet mbledhja e të ardhurave nga pushteti vendor. Për këtë periudhë, Bashkitë dhe Komunat kanë realizuar vetëm 70 për qind të planit të të ardhurave, ose 2.3 miliardë lekë më pak sesa planifikimi. Por përveç pushtetit lokal, mosrealizime ka edhe nga qeveria. Investimet publike janë realizuar në masën 84 për qind, pagesa e papunësisë ka një mosrealizim prej 12.6 për qind dhe ndihma ekonomike edhe realizuar 156 milionë lekë më pak sesa plani.

Box

Nuk ka amnisti fiskale

Bode, ka deklaruar se drafti që po përgatitet nuk është amnisti fiskale po thjesht një falje gjobash. “Nuk bëhet fjalë për ndonjë amnisti. Bëhet fjalë për një falje të detyrimeve (gjoba dhe kamatëvonesa) për një sërë biznesesh, të cilat kanë një periudhë të gjatë që janë debitorë në shtet dhe për motive nga më të ndryshmet ende nuk është arkëtuar kundërvlefta, sikurse do të ketë dhe një rregullim me ligj të asaj shume marramendëse që ekziston si borxh nga bizneset, rreth 40 miliardë lekë nga tatimet. Do të krijohet një periudhë 3-mujore që të gjithë bizneset të kenë kohë për të likuiduar principalin dhe për të eliminuar të gjitha gjobat dhe pjesërisht kamatëvonesat. Ky është projekti ynë, që nuk është amnisti fiskale, por një rregullim dhe falje e disa pjesëve të detyrimeve që kanë disa kompani private për t’i çliruar ato dhe për t’i ftuar që të dalin tërësisht në dritë, sikurse dhe konkurrentët e tyre në ekonominë e vendit”,- tha Bode

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›